Wednesday, 19 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaDosja “Aruba”, Gjiknuri padit për shpifje avokatin Llangozi: Të publikojë prova ose të dorëzojë licencën

Dosja “Aruba”, Gjiknuri padit për shpifje avokatin Llangozi: Të publikojë prova ose të dorëzojë licencën

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka reaguar ndaj pretendimeve se ai ka qenë një nga dy zyrtarët e qeverisë që kanë marrë pjesë në një takim me trafikantë në Aruba, duke i cilësuar ato si shpifje.

Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, Gjiknuri i është përgjigjur deklaratave të avokatit Arben Llangozi, të cilin e sfidon të bëjë publike provat që, sipas tij, mbështesin akuzat. Në të kundërt, deputeti socialist kërkon që Llangozi të tërhiqet publikisht nga deklaratat dhe të dorëzojë licencën e avokatit.

Gjiknuri bën të ditur gjithashtu se ka autorizuar avokatin e tij të përgatisë dokumentacionin për ngritjen e një padie për shpifje ndaj Arben Llangozit.

Në reagimin e tij, deputeti shprehet se ka zgjedhur fillimisht të mos u përgjigjet akuzave, duke besuar se ato do të binin vetë poshtë, por thekson se përsëritja e tyre e ka detyruar të reagojë publikisht.

Ai deklaron se nuk ka qenë asnjëherë në Aruba, nuk ka zhvilluar takime me personat e përmendur në pretendime dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me ta.

“E sfidoj publikisht Arben Llangozin të publikojë provat që mbështesin pretendimet e tij. Në të kundërt, ai duhet të tërhiqet publikisht nga këto deklarata dhe të dorëzojë licencën e avokatit”, shprehet Gjiknuri.

Deputeti shton se, për shkak të funksioneve publike që ka ushtruar ndër vite, figura e tij është verifikuar nga organet e drejtësisë dhe, sipas tij, të gjitha proceset kanë konfirmuar se nuk ka asnjë implikim në çështjet për të cilat është akuzuar.

Lini një koment