Tuesday, 18 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaPD propozon dy grupe të reja pune në IDC-CDI, mirëpriten nga presidenti Andrés Pastrana Arango

PD propozon dy grupe të reja pune në IDC-CDI, mirëpriten nga presidenti Andrés Pastrana Arango

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka propozuar krijimin e dy grupeve të reja pune brenda Organizatës së Qendrës së Djathtë Demokrate IDC-CDI, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të zhvilluar në Bruksel.

Propozimet e delegacionit të PD-së lidhen me forcimin e demokracisë, mbrojtjen e integritetit zgjedhor dhe përballjen me krimin e organizuar e korrupsionin.

Grupi i parë i propozuar është “Grupi i Punës për Demokracinë, Integritetin Zgjedhor, Pluralizmin Politik dhe Liritë Themelore”, i cili synon të krijojë një platformë bashkëpunimi mes partive anëtare për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e institucioneve demokratike.

Grupi i dytë është “Grupi i Punës për kapjen e shtetit, krimin e organizuar dhe korrupsionin e organizuar”, i cili do të fokusohet në bashkëpunimin ndërkombëtar, shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e politikave të përbashkëta për përballimin e këtyre sfidave.

Berisha deklaroi se këto nisma synojnë ta kthejnë IDC-CDI nga një forum dialogu politik në një platformë më aktive ndërkombëtare, që mbështet partitë anëtare dhe mbron vlerat demokratike.

“Këto grupe pune do të forcojnë identitetin e IDC-CDI si familja politike globale e angazhuar për demokracinë, lirinë dhe dinjitetin njerëzor, duke iu përgjigjur kërcënimeve kryesore me të cilat përballen shoqëritë demokratike sot”, u shpreh Berisha.

Propozimet u mirëpritën nga presidenti i IDC-CDI, Andrés Pastrana Arango, i cili i cilësoi si një ide të rëndësishme për përballimin e sfidave të reja.

“Është një ide shumë e mirë krijimi i një grupi pune, sepse ka shumë të ngjarë që kjo të jetë kërcënimi i ri për Europën, e cila vetëm tani ka filluar të kuptojë problemet me të cilat mund të përballet”, deklaroi Pastrana Arango gjatë fjalës së tij.

Lini një koment