Friday, 17 July 2026
54°F Detroit
BallinaBotaPEKIN – Kina kërcënon me kundërmasa ndaj SHBA-së pas rregullave të reja për vizat e gazetarëve të huaj

PEKIN – Kina kërcënon me kundërmasa ndaj SHBA-së pas rregullave të reja për vizat e gazetarëve të huaj

PEKIN, 17 korrik /ATSH-DPA/ – Kina paralajmëroi sot se do të ndërmarrë kundërmasa ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi Uashingtoni njoftoi ndryshime në politikën e vizave, që shkurtojnë ndjeshëm afatin e qëndrimit për gazetarët e huaj, veçanërisht ata kinezë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian i cilësoi masat si “diskriminuese”, duke deklaruar se ato shkelin marrëveshjet dypalëshe për median dhe vështirësojnë punën e organizatave mediatike kineze në SHBA.

“Kina ka të drejtë të ndërmarrë kundërmasa të përshtatshme”, tha ai.

Administrata amerikane njoftoi dje se, sipas projekt-rregullave të reja, gazetarët e huaj do të pajisen me viza me vlefshmëri 240-ditore, në vend që të lejohen të qëndrojnë në vend për aq kohë sa plotësojnë kushtet përkatëse.

Për gazetarët kinezë, kufizimet do të jenë edhe më të rrepta, pasi vizat e tyre do të jenë të vlefshme për vetëm 90 ditë.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) kritikoi ndryshimet, duke paralajmëruar se ato mund të prekin mijëra gazetarë të huaj dhe t’i japin fund një politike shumëvjeçare, që u garantonte atyre mundësinë për të raportuar nga SHBA-ja, pa rrezikuar statusin e vizës.

Paketa e re e masave, parashikon gjithashtu rregulla më të ashpra për studentët ndërkombëtarë.

Shefi i Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin tha se ndryshimet synojnë reformimin e një sistemi të vjetër, i cili sipas tij, ka cenuar sigurinë kombëtare dhe ka krijuar mundësi për abuzime me sistemin e emigracionit. /

Lini një koment