Raporti i Komisionit Evropian 2026 për Sundimin e Ligjit: Konsolidohet SPAK, polarizimi politik vazhdon të ndikojë negativisht në punën parlamentare
Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Shtetit të së Drejtës 2026 për Shqipërinë. Dokumenti pasqyron zbatimin e reformës në drejtësi, ecurinë e luftës kundër korrupsionit, lirinë e medias dhe balancat institucionale. Gjetjet kryesore evidentojnë mbylljen e procesit të vetingut dhe rezultatet e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), por paralelisht konstatojnë sfida me vakancat në system dhe polarizimin në punën parlamentare.
Përfundimi i Vetingut dhe situata në sistemin e drejtësisë
Sipas raportit, zbatimi i reformës në drejtësi ka vijuar, duke u shënuar nga përfundimi i plotë i procesit të vetingut për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët me finalizimin e fazës së apelimit. Megjithatë, institucionet e reja përballen me mungesa të theksuara në burime njerëzore dhe vonesa në vlerësimin e magjistratëve.
Në lidhje me bilancin përfundimtar të këtij procesi, raporti citon:
“Rezultati i përgjithshëm i vendimeve të vetingut të dhëna nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe, ku ishte e zbatueshme siç u shqyrtua nga Dhoma e Posaçme e Apelimit, rezultoi në 456 shkarkime dhe ndërprerje (57 % e rasteve) dhe 348 konfirmime në detyrë (43% e rasteve).”
Pavarësisht këtij progresi, dokumenti thekson se “tentativat për ndikim të padrejtë mbi institucionet e drejtësisë dhe sulmet personale ndaj magjistratëve vazhduan”. Ndërkohë, numri i çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë është reduktuar me mbi 50%, duke shkuar në 12,356 në qershor 2026.
SPAK dhe lufta kundër korrupsionit
Kuadri ligjor për të luftuar korrupsionin vlerësohet kryesisht i ngritur, me hapa të rëndësishëm drejt përafrimit me standardet evropiane. SPAK ka vazhduar të tregojë kapacitete të forta për të dhënë rezultate në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.
Për sa i përket bilancit konkret të hetimeve për zyrtarët e lartë, dokumenti thekson:
“Në vitin 2025, SPAK hetoi 30 zyrtarë të nivelit të lartë dhe ish-zyrtarë (përfshirë një Zëvendëskryeministër, ish-Kryetar Kuvendi, ish-Ministër dhe ish-Deputetë). 18 prej tyre u dërguan në gjykatë dhe 10 u dënuan me një vendim të formës së prerë.”
Nga ana tjetër, rreziqet e korrupsionit vazhdojnë të mbeten të përhapura në Policinë e Shtetit, prokurimet publike dhe sektorë të tjerë me risk të lartë, ndërsa koordinimi i institucioneve parandaluese me organet ligjzbatuese konsiderohet i dobët.
Puna parlamentare dhe balancat institucionale
Në rrafshin e kontrolleve dhe balancave institucionale, raporti vëren se polarizimi politik vazhdon të ndikojë negativisht në punën parlamentare dhe në mbikëqyrjen e ekzekutivit. Kjo klimë ka ndikuar edhe në bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë.
Përtej këtyre problematikave, Gjykata Kushtetuese vlerësohet si efektive në ruajtjen e balancave institucionale, ndërsa shoqëria civile raportohet se operon e lirë, por përballet me sfida në përfshirjen në proceset e politikëbërjes.