SPANJË – Zjarret shkatërrojnë 12 000 ha tokë dhe detyrojnë evakuimin e 1 100 banorëve
MADRID, 17 korrik /ATSH-DPA/ Zjarri masiv në Aragon të Spanjës ka shkatërruar rreth 12 mijë hektarë tokë, ndërsa mbi 1 100 banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.
Flakët shpërthyen të mërkurën në rajonin verilindor të Aragonit dhe, sipas autoriteteve rajonale, ky është zjarri më i madh i këtij viti në Spanjë.
Kryeministri i Aragonit, Jorge Azcon, deklaroi sot se zjarri mbetet ende jashtë kontrollit.
Evakuimet kanë përfshirë pesë fshatra në provincën e Zaragozë, Ore, Asín, Luesia, Malpica de Arba dhe Uncastillo, të cilat ndodhen rreth 100 kilometra në veri të qytetit të Zaragozës.
Gjithashtu, banorët e Petilla de Aragón, në rajonin fqinj të Navarrës, janë larguar si masë paraprake.
Autoritetet thanë se, për momentin, nuk parashikohen evakuime të tjera, por situata mbetet shumë e rrezikshme.
Rreziku i përhapjes së mëtejshme të flakëve vazhdon të jetë jashtëzakonisht i lartë për shkak të erërave të forta dhe të paqëndrueshme, temperaturave të larta dhe lagështisë shumë të ulët, të cilat favorizojnë përhapjen e zjarrit.
Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar më shumë se 400 efektivë të shërbimeve të emergjencës, të mbështetur nga helikopterë, avionë zjarrfikës dhe Njësia Ushtarake e Emergjencave (UME), e cila po ndihmon në përballimin e situatës. /Ad.Ab./ a.jor.