HAPËSIRË – Atmosfera e një planeti të largët rrit shpresat për botë të banueshme
– Astronomët kanë zbuluar për herë të parë prova të forta se një planet shkëmbor në zonën e banueshme të një ylli tjetër ka ruajtur atmosferën e tij për miliarda vjet. Bëhet fjalë për “LHS 1140 b”, një ekzoplanet që ndodhet rreth 48 vite-dritë larg Tokës, sipas “New York Times”.
Zbulimi, i publikuar në revistën shkencore “Science”, konsiderohet një hap i madh në kërkimin për botë që mund të kenë kushte të përshtatshme për jetën.
“LHS 1140 b” rrotullohet rreth një ylli xhuxh të kuq dhe ndodhet në zonën e banueshme, ku temperaturat mund të lejojnë ekzistencën e ujit të lëngshëm. Edhe pse janë zbuluar mijëra ekzoplanetë, deri më tani nuk kishte prova të qarta se një planet shkëmbor në këtë zonë kishte mundur të ruante atmosferën e tij për një kohë kaq të gjatë.
Shkencëtarët arritën të zbulojnë praninë e heliumit që po largohej gradualisht nga shtresat e sipërme të atmosferës së planetit. Vëzhgimet u kryen me spektrografin WINERED në observatorin “Magelan” në Kili, gjatë një kalimi të rrallë të planetit përpara yllit të tij.
Një planet tjetër në të njëjtin sistem nuk tregoi shenja atmosfere, duke e bërë zbulimin për “LHS 1140 b” edhe më bindës.
Sipas autorit kryesor të studimit, Collin Cherubim nga Universiteti i Harvardit, atmosfera është një element thelbësor për të mbështetur jetën siç e njohim.
Ai theksoi se kjo është hera e parë që konfirmohet prania e një atmosfere në një planet shkëmbor brenda zonës së banueshme të një ylli tjetër.
Megjithatë, zbulimi nuk do të thotë se planeti strehon jetë.
Prania e heliumit vetëm konfirmon se ai ka ruajtur atmosferën për miliarda vjet. Tani astronomët synojnë të përcaktojnë përbërjen e plotë të atmosferës dhe të kërkojnë shenja të gazrave të tjerë, si avulli i ujit apo dioksidi i karbonit.
Shkencëtarët e konsiderojnë “LHS 1140 b” një nga objektivat më premtues për studimet e ardhshme mbi ekzoplanetët.
Zbulimi pritet të ndihmojë në identifikimin e botëve të tjera shkëmbore që mund të kenë kushte të ngjashme me Tokën dhe të rrisë shanset për të gjetur, në të ardhmen, një planet potencialisht të banueshëm./ /Ad.Ab./ a.jor.