Kokalari: Flamur Noka ka një mision, të sjellë Argita Malltezin në krye të PD-së
Partia Demokratike po përgatitet për të pasur në krye Argita Malltezin, pas zgjedhjeve të Kuvendit Kombëtar për Kryesinë. Kështu shprehet Evi Kokalari në një postim në rrjetet sociale ku shkruan se kjo është detyra e Flamur Nokës si sekretar.
Elementët konfliktualë dhe ata që s’i pëlqejnë Malltezit, përfshirë Jozefina Topallin, janë larguar duke lënë “partneren në korrupsion” të Argita Malltezit, Albana Vokshin. Pas nuk mbeten as “shokët e ngushtë” të Shkëlzen Berishës, teksa të tjerët si Belind Këlliçi apo nënkryetarët si kukulla, janë lënë qëllimisht, thotë Kokalari.
Ajo për të cilën aktivistja siguron, përtej vonesës, është se “sytë do të jenë te Shqipëria” atëherë kur më pak të pritet dhe “haqet” e Sali Berishës do t’i marrin përsipër dy fëmijët e tij.
Postimi i plotë:
Kryesia e PD-së është riformatuar dhe po bëhet gati për Argita Malltezin si kryetare.
Kushdo që, sipas “zgjuarsisë” së Malltezit, shihet si burim konflikti në të ardhmen, është larguar. Kryesia është dominuar nga shokët e ngushtë të Shkëlzen Berishës, nja dy superhipokritë e servilë, si dhe disa personazhe që nuk kanë kapacitet debati dhe që abuzimin me të drejtat e demokratëve e kanë pranuar si fakt të mirëqenë dhe si normalitet.
Sigurisht, nuk mungon partnerja në korrupsion e Argitës, Albana Vokshi. Flamur Noka ka një detyrë shumë të rëndësishme si sekretar partie: sjelljen si kryetare të PD-së të Argitës, e cila nuk ka asnjë kontribut, përveç menaxhimit të lidershipit të PD-së (ajo solli Bashën) dhe biznesit familjar, për të cilin e bëjnë këtë luftë.
Këlliçin edhe ata e njohin mirë se çfarë mashtruesi është, prandaj e kanë lënë nënkryetar dhe jo pjesë të kryesisë; pra, që ta heqin kollaj nesër, pasi nuk ka asnjë tagër në PD. Dy nënkryetarët e tjerë janë kukulla dhe jo pak qesharakë, por kjo është një temë tjetër.
Xhozi, bashkë me të tjerët, janë hequr sepse nuk i pëlqejnë Malltezit, e cila përzgjedhjet i bën në bazë të pasigurive dhe komplekseve që ka vetë ajo.
E përsëris: gjërat mund të vonojnë pak, sepse në SHBA kemi luftërat tona për të përfunduar. P.sh., siç ishte manipulimi i votës në zgjedhjet e vitit 2020, që la shumë pasoja për republikanët, dhe Presidenti Trump sapo ka publikuar të gjitha dokumentet mbi ato manipulime. Po ashtu, luftërat në Iran dhe Ukrainë kanë ndërlikuar shumë situatën. Por mos bëni asnjë gabim: në një moment sytë do të jenë te Shqipëria, atëherë kur nuk e prisni fare.
Dhe Argitën e mirëpres, sepse haqet e Sali Berishës, në moshën që është ai, ju të dy do t’i merrni përsipër, dhe me të dy kam parasysh Argitën dhe Shkëlzenin. Në fund të fundit, vjedhjen masive që babai juaj i bëri Shqipërisë dhe çdo bashkëkombësi, duke mos ua kthyer pronat por duke i privatizuar ato për ju dhe miqtë tuaj dhe duke abuzuar me të drejtat individuale, duke filluar me të drejtën e votës, ju do t’i paguani.
Dhe ky është premtim dhe mision.