“Rezervimet e minutës së fundit në rënie, kontratat me agjencitë – mirë, por tërhiqen gjermanët”
Intervistë me Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve “Royal G”
Hotelet e mëdha në Durrës dhe Golem po sigurojnë një numër të kënaqshëm turistësh përmes kontratave me garanci me agjencitë e huaja, por po përballen me dobësimin e fortë të kërkesës individuale.
Segmenti i minutës së fundit, që zakonisht mbulon deri në 20% të kapaciteteve, ka shënuar rënie të ndjeshme në fillim të korrikut.
Kësaj i shtohet edhe fakti që tregu gjerman është i vetmi nga të organizuarit që ka një rënie me rreth 50% nën parashikimet e operatorëve. Polakët, çekët dhe sllovakët vijojnë të mbështesin sezonin, ndërsa Franca, Britania dhe Armenia po zgjerojnë hartën e tregjeve hyrëse.
Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve “Royal G”, në një intervistë për “Monitor”, tha se pret përmirësim pas 20 korrikut dhe ecuri më të fortë në shtator e tetor që mund të kompensojë këtë zbehje të verës.
Si ka nisur sezoni veror për strukturat hoteliere në zonën e Golemit dhe të Durrësit, bazuar në atë që konstatoni çdo ditë në aktivitetin tuaj?
Për fat të keq, kjo verë nuk ka nisur shumë mirë. Më saktësisht, muaji korrik nuk ka filluar në nivelin që pritej.
Çdo hotel, të paktën strukturat e mëdha që bashkëpunojnë me agjencitë turistike, bën një ndarje të kapaciteteve. Zakonisht, rreth 80% e dhomave rezervohen për turizmin e organizuar, ndërsa 20% lihen për rezervimet individuale dhe ato të minutës së fundit.
Pikërisht në këtë pjesë prej 20% po vërehet një deficit i theksuar. Rënia nuk është e vështirë të konstatohet, pasi edhe në mbrëmje shihet qartë se shëtitorja nuk ka gjallërinë e zakonshme.
Në muajt korrik dhe gusht, hotelet në Golem normalisht janë të mbushura, por këtë vit situata është ndryshe. Çmimet nuk mund të konsiderohen arsyeja kryesore, sepse shumë hotele i kanë tarifat më të ulëta se vitin e kaluar, ndërsa një pjesë tjetër kanë nisur të aplikojnë oferta.
Kjo tregon se operatorët po reagojnë ndaj dobësimit të kërkesës dhe se nuk bëhet fjalë për një problem të izoluar. Situata është shfaqur që në fillim të korrikut dhe pothuajse të gjitha hotelet, kush më shumë dhe kush më pak, kanë dhoma të lira.
A është kjo zbehje një zhvillim që ka nisur vetëm në korrik, apo ishte vërejtur edhe gjatë muajve të mëparshëm, duke qenë se turizmi i organizuar fillon më herët?
Fillimi i korrikut këtë vit është më i dobët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në fakt, turistët e parë të organizuar kanë nisur të vijnë që në muajin prill. Prilli dhe maji patën ecuri shumë të mirë dhe krijuan pritshmërinë se kjo tendencë do të vazhdonte edhe gjatë pjesës tjetër të sezonit.
Në këta dy muaj regjistruam rritje prej rreth 15-20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe qershori nisi mirë, por zbehja e rezervimeve të minutës së fundit filloi të ndihej në fund të qershorit dhe në ditët e para të korrikut.
Edhe fundjavat gjatë kësaj periudhe kanë qenë më të dobëta se një vit më parë. Ky është një tjetër tregues se panorama e këtij sezoni është ndryshe nga ajo që kishim parashikuar.
Cilat mendoni se janë arsyet që kanë sjellë rënien e rezervimeve të minutës së fundit?
Duke qenë se çmimet janë më të ulëta se vitin e kaluar, nuk mendoj se ky është shkaku i rënies së kërkesës.
Mendoj se një ndikim mund të ketë ardhur nga imazhi i paqëndrueshmërisë së krijuar pas zhvillimeve të fundit në vend. E kam fjalën për protestat.
Pavarësisht mënyrës se si ato janë zhvilluar në realitet, rëndësi të madhe ka mënyra se si janë perceptuar dhe transmetuar jashtë Shqipërisë, veçanërisht nga mediat e huaja.
Tregu që është treguar më i ndjeshëm dhe që na e ka shprehur drejtpërdrejt hezitimin është ai gjerman. Ndërkohë, tregjet e tjera, si polakët, çekët apo anglezët, nuk kanë shfaqur ndonjë shqetësim të veçantë lidhur me këtë çështje.
Si paraqitet këtë vit tregu i Kosovës në krahasim me sezonin e kaluar?
Tregu i Kosovës është në rënie krahasuar me vitin e kaluar.
Një pjesë e kësaj tendence mund të lidhet me faktin se lëvizja e lirë u ka dhënë qytetarëve të Kosovës më shumë mundësi për të zgjedhur destinacione të tjera. Gjithsesi, nuk mendoj se ky faktor e shpjegon tërësisht rënien.
Pushuesit nga Kosova e kanë më të lehtë të vijnë në Shqipëri dhe e shprehin vazhdimisht lidhjen dhe dashurinë që kanë për vendin. Fillimi i korrikut ka qenë shumë i vakët edhe për këtë grup.
Pas datës 17 korrik, situata duket më pozitive, pasi ka kërkesa dhe rezervime më të shumta.
Ndryshe nga rezervimet individuale, si po ecin kontratat e garancisë me agjencitë turistike?
Kontratat e garancisë po ecin shumë mirë, me përjashtim të tregut gjerman.
Numri i turistëve gjermanë është rreth 50% më i ulët nga sa ishte parashikuar. Për tregjet e tjera, situata është pozitive.
Aktualisht, numrin më të madh të turistëve e përbëjnë polakët. Ata janë një treg shumë besnik ndaj Shqipërisë dhe shumë prej tyre rikthehen për herë të tretë apo të katërt. Pas tyre renditen çekët dhe sllovakët.
Këtë vit janë shtuar edhe tregje të reja. Francezët kanë ardhur përmes kontratave të garancisë dhe për një pjesë të kapaciteteve janë mbyllur tashmë marrëveshje edhe për vitin 2027.
Një tjetër treg që po shfaq rritje është ai britanik. Turistët anglezë po vijnë kryesisht në mënyrë individuale, por në numër më të madh sesa ka qenë e zakonshme për zonën e Golemit.
Armenia është një treg plotësisht i ri për këtë vit. Turistët armenë po vijnë me paketa të rezervuara në minutën e fundit. Fluturimet charter për këtë treg nisën në muajin qershor.
Edhe pse ende nuk kemi arritur të kuptojmë plotësisht tipologjinë e tyre si klientë, zhvillimi pozitiv është se harta e tregjeve nga të cilat vijnë turistët po zgjerohet vazhdimisht.
Po turistët italianë, a kanë prani të konsiderueshme në Durrës dhe Golem?
Italianët vijnë në mënyrë sporadike dhe kryesisht individualisht, por nuk përbëjnë ende një grup të madh turistësh.
Ajo që bie më shumë në sy është rritja e numrit të italianëve që po vendosen si rezidentë dhe po zgjedhin të jetojnë në Durrës.
Shumë prej tyre kërkojnë të punësohen në hotele, në pozicione si kamerierë, banakierë apo muzikantë. Durrësi po shihet gjithnjë e më shumë prej tyre si një qytet i përshtatshëm për të jetuar.
Kjo tendencë mund të vërehet lehtësisht edhe në shëtitore, ku tashmë dëgjohet shumë shpesh gjuha italiane.
Sa u takon paketave që ofrojnë hotelet, cilat alternativa mbizotërojnë në turizmin e organizuar?
Pothuajse 90% e strukturave që punojnë me kontrata garancie operojnë me paketën “të gjitha të përfshira”.
Kjo paketë përputhet shumë mirë me profilin e turistit që viziton zonën e Durrësit dhe të Golemit, pasi pjesa më e madhe e këtyre klientëve kërkon pikërisht këtë lloj shërbimi.
Vetëm një pjesë e vogël zgjedh paketën “fjetje dhe mëngjes” dhe priret të konsumojë apo të shpenzojë jashtë hotelit.
Nga data 1 qershor deri më 30 shtator, shumica e hoteleve ofrojnë paketa “të gjitha të përfshira”, pasi ky është produkti më i kërkuar nga turizmi i organizuar dhe nga grupet që vijnë përmes agjencive.
Si paraqitet këtë vit menaxhimi i plazheve në zonën e Durrësit dhe të Golemit?
Situata me plazhet është shumë e mirë. Vetë tipologjia e vijës bregdetare e mundëson që të ketë hapësira të bollshme, si publike, ashtu edhe private. Edhe çmimet e shërbimeve në plazh janë relativisht ekonomike.
Në tërësi, ky rajon ofron një produkt tipik familjar, me kosto të përballueshme dhe të përshtatshëm për turizmin masiv.
Kjo është edhe një nga arsyet kryesore pse Durrësi dhe Golemi vazhdojnë të mbeten tërheqës për familjet dhe për grupet e organizuara.
Si ndikon zhvlerësimi i vazhdueshëm i Euros në aktivitetin e sektorit hotelier?
Zhvlerësimi i Euros është një nga faktorët më negativë me të cilët po përballet sektori.
Pjesën më të madhe të shpenzimeve e kemi në Lek, ndërsa të ardhurat i sigurojmë kryesisht në Euro. Ky raport krijon një presion të drejtpërdrejtë mbi financat e hoteleve.
Forcimi i Lekut na ka detyruar të operojmë me marzhe fitimi më të ulëta, të cilat vazhdojnë të tkurren nga viti në vit.
Në një situatë të tillë, bizneset duhet të përballojnë rritjen e kostove dhe njëkohësisht të ruajnë çmime konkurruese, çka e bën gjithnjë e më të vështirë ruajtjen e rentabilitetit.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për pjesën tjetër të sezonit veror, duke pasur parasysh situatën e deritanishme?
Besoj se pas datës 20 korrik, situata do të ndryshojë dhe kërkesa do të fillojë të përmirësohet.
Pritshmëritë janë pozitive edhe për muajt shtator dhe tetor. Që tani kemi një numër të konsiderueshëm rezervimesh nga grupet e organizuara për këtë periudhë.
Bëhet fjalë kryesisht për turistë të moshës së tretë, të cilët parapëlqejnë muajt e vjeshtës së hershme për shkak të qetësisë, temperaturave më të favorshme dhe ofertave më të mira.
Për këtë arsye, edhe nëse korriku mbetet më i dobët nga sa ishte parashikuar, presim që zgjatja e sezonit në shtator dhe tetor të kompensojë një pjesë të diferencës.
Lexoni edhe: