Monday, 17 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaKarakaçi nga Porti i Durrësit: Të bëjmë sa më të thjeshtë hyrjen në Shqipëri për turistët dhe shqiptarët që vijnë nga larg për të vizituar të afërmit

Karakaçi nga Porti i Durrësit: Të bëjmë sa më të thjeshtë hyrjen në Shqipëri për turistët dhe shqiptarët që vijnë nga larg për të vizituar të afërmit

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka inspektuar ditën e sotme Portin e Durrësit, ku janë marrë masa për përballimin e fluksit të lartë të udhëtarëve gjatë sezonit turistik.

Gjatë vizitës në port, Karakaçi u shpreh se masat e ndërmarra nga Autoriteti Portual i Durrësit synojnë garantimin e një procesi sa më të shpejtë dhe efikas për përpunimin e trageteve, udhëtarëve dhe automjeteve.

“Jemi sot në Portin e Durrësit, në kulmin e sezonit turistik. Jemi ulur disa herë dhe kemi diskutuar për masat që Autoriteti Portual i Durrësit merr çdo vit për përpunimin e trageteve dhe gjithë situatës”, deklaroi ministri.

Drejtori i Portit të Durrësit, Liburn Aliu, bëri të ditur se janë shtuar kapacitetet e punës për të përballuar fluksin e udhëtarëve. Sipas tij, është dyfishuar personeli dhe janë vendosur 30 pika për procesimin e udhëtarëve dhe automjeteve.

Aliu tha se deri tani puna në terminal po vijon normalisht, ndërsa janë marrë masa edhe për mirëmbajtjen e ambienteve dhe monitorimin e vazhdueshëm të aktivitetit.

“Jemi në fluksin më të madh të punës. Aktualisht janë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e udhëtarëve. Kemi dyfishim të personelit dhe 30 pika ku procesohen udhëtarët dhe automjetet. Deri tani po procesohet gjithçka në mënyrë të rregullt”, u shpreh ai.

Sipas Karakaçit, për mbarëvajtjen e procesit Autoriteti Portual i Durrësit po bashkëpunon me institucionet e tjera, përfshirë bashkinë, prefekturën, policinë dhe doganat, të cilat kanë shtuar sportelet për përpunimin e udhëtarëve.

Ministri theksoi se zbatimi i planit të masave është i rëndësishëm për të lehtësuar hyrjen në Shqipëri të emigrantëve që vizitojnë familjet e tyre, si dhe të turistëve gjatë sezonit veror.

Lini një koment