Bejko: PD është bërë si kompani e Berishës, u kthye në Kuvend për pazare me qeverinë
Brukseli duket afër, por Tirana mbetet larg. Qeveria shtyn para për Europën dhe drejtësinë, opozita u rikthye për të penguar e bllokuar si integrimin edhe SPAK.
Ish anëtari demokrat, Roland Bejko tha se PD u kthye në Kuvend, edhe pse kishte deklaruar se do vijonte bojkotin derisa qeveria të përmbushte kërkesat e protestës, gjë e cila nuk ka ndodhur.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Bejko u shpreh se PD e ka tradhtuar disa herë elektoratin.
Ndërsa gazetari Artur Nura deklaroi se kreu i PD, Sali Berisha është kritikuar brenda partisë për bojkotin në parlament.
Roland Bejko: Pse u kthye PD në parlament? Kishte deklaruar se do e bojkotonte derisa parlamenti të miratonte kërkesat e protestës. Nuk është hera e parë që PD thyen premtimin që bën para elektoratit, por pse e bëri këtë gjë? Kjo të lë të dyshosh për pazare në të ardhmen. PD është kthyer në sipërmarrje fitimprurëse për kryetarin e saj. PD u kthye për të bërë retorikë politike. Ky është autogol elektoral për PD. Pazaret me qeverinë këtu janë evidente.