Monday, 17 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaOpozita bllokon foltoren e Kuvendit, nuk lejon prezantimin e gjetjeve të Komisionit të Territoriales. Ndërpritet seanca

Opozita bllokon foltoren e Kuvendit, nuk lejon prezantimin e gjetjeve të Komisionit të Territoriales. Ndërpritet seanca

Seanca plenare në Kuvend është shoqëruar me tensione, pasi deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren duke mos lejuar prezantimin e bashkëkryetarit Arbjan Mazniku për gjetjet e punës të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale.

Opozita pretendoi se deputetëve të saj nuk u ishte dhënë e drejta e fjalës për procedurë dhe kërkoi që të merrte fjalën përpara vijimit të diskutimeve. Për këtë arsye, deputetët demokratë u vendosën në foltoren e Kuvendit, duke penguar vijimin normal të seancës.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, tha se gjatë kohës së debatit askush nuk kishte folur për procedurë dhe u kërkoi deputetëve të opozitës të lironin foltoren.

“Dy orë e gjysmë dhe askush nuk foli për procedurë. Këtë e kam për të dy krahët. Për procedurë folën shumë pak deputetë. Ju lutem, lironi foltoren”, tha Peleshi.

Pas situatës së krijuar, kryetari i Kuvendit vendosi ndërprerjen e seancës për 5 minuta, me qëllim lirimin e foltores dhe vijimin e punimeve parlamentare.

Përplasjet në Kuvend vijnë në një ditë kur pritej prezantimi i gjetjeve nga ana e mazhorancës në Komisionin e Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, ndërsa më herët opozita kishte kërkuar shtyrjen e afatit të këtij komisioni, kërkesë e cila u rrëzua nga mazhoranca me 82 vota kundër.

Lini një koment