Një i vdekur dhe 16 të plagosur pasi një furgon u përplas me turmën në Paradën e Krenarisë në Berlin
Berlin, 26 korrik /ATSH/ Një person humbi jetën dhe të paktën 16 të tjerë mbetën të plagosur, disa prej tyre në gjendje kritike, pasi një furgon u përplas me turmën gjatë festimeve të paradës së komunitetit LGBTQ+, Christopher Street Day (CSD), në Berlin.
Sipas policisë gjermane, incidenti ndodhi pranë parkut Tiergarten, afër itinerarit të paradës, një nga aktivitetet më të mëdha të këtij lloji në Evropë. Pas ngjarjes, autoritetet ndërprenë menjëherë paradën dhe koncertin e planifikuar, ndërsa u bënë thirrje pjesëmarrësve të largoheshin nga zona.
Policia njoftoi se drejtuesi i automjetit u largua nga vendngjarja dhe vijojnë kërkimet për kapjen e tij. Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar motivin e ngjarjes dhe nëse bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm.
Kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, e dënoi incidentin, duke e cilësuar atë si një sulm ndaj një shoqërie të lirë dhe tolerante, ndërsa shprehu solidaritetin me viktimat dhe familjet e tyre.