Tragjedi në Detin e Kinës Jugore, fundoset anija vietnameze me 62 persona në bord
Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi vijon në Detin e Kinës Jugore për gjetjen e 23 personave të zhdukur, pas mbytjes së një anijeje vietnameze me 62 persona në bord.
Sipas transmetuesit shtetëror kinez CCTV, deri tani 39 persona janë shpëtuar nga ekipet e emergjencës.
Autoritetet e provincës jugore kineze Hainan bënë të ditur se anija e mallrave “Khoi Nguyen 18” dërgoi një sinjal shqetësimi pranë zonës detare të Fiery Cross Reef.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit janë angazhuar gjashtë anije kineze, një helikopter dhe një anije vietnameze, ndërsa vijojnë kërkimet për personat e mbetur të zhdukur.
Anija, e regjistruar në Vietnam, është rreth 70 metra e gjatë dhe ka një tonazh bruto prej 999 tonësh.
Zona ku ndodhi incidenti ndodhet pranë Ishujve Spratly, një rajon i diskutueshëm në Detin e Kinës Jugore, i përbërë nga ishuj të vegjël, shkëmbinj nënujorë dhe atole, i cili konsiderohet me rëndësi strategjike dhe i pasur me burime natyrore.
Kina pretendon sovranitet mbi pjesën më të madhe të Detit të Kinës Jugore, përfshirë Ishujt Spratly, ku ka ndërtuar pista ajrore dhe struktura të militarizuara.
Megjithatë, pretendimet e Pekinit kundërshtohen nga disa vende të rajonit, përfshirë Vietnamin, Filipinet, Tajvanin, Malajzinë dhe Brunein.
A Vietnamese vessel sank after encountering distress in waters near Yongshu Reef in the Nansha Islands in the #SouthChinaSea, with 39 people rescued so far, authorities of #China’s Sansha City said. All those rescued are Vietnamese nationals from the distressed vessel “Khoi… pic.twitter.com/H4cGgrReY0