Sunday, 26 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperia“Iku për të lypur!”/ Apeli i nënës nga Elbasani: Më ndihmoni të gjej djalin, i zhdukur prej 2 javësh

“Iku për të lypur!”/ Apeli i nënës nga Elbasani: Më ndihmoni të gjej djalin, i zhdukur prej 2 javësh

Nëna e një 12-vjeçari nga Elbasani ka bërë një apel prekës për ndihmë, pasi me djalin e saj Arjanito, ka humbur kontaktet prej gati dy javësh.

Sipas rrëfimit të saj, i mituri është larguar nga banesa në datën 15 korrik. Dy ditë më vonë, më 17 korrik, familjarët kanë bërë kallëzim në Policinë e Elbasanit, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e tij.

Deri më tani, nëna shprehet se nuk kanë marrë asnjë informacion për vendndodhjen e djalit. Nga hetimet paraprake të kryera nga policia dhe bazuar edhe në deklarimin e vëllait të të miturit, dyshohet se Arjanito është larguar për të lypur, një veprim që sipas familjarëve, e ka bërë edhe herë të tjera. Megjithatë, vendndodhja e tij mbetet ende e panjohur.

Burime bëjnë me dije se Policia ka bërë shpalljen në kërkim të 12-vjeçarit dhe vijon punën intensive për lokalizimin dhe gjetjen e tij, duke verifikuar çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit. Nëna tregon se kjo nuk është hera e parë që Arjanito largohet nga shtëpia. Edhe në raste të mëparshme ai është larguar pa njoftuar familjen, por është gjetur pas disa ditësh. Këtë herë, sipas saj, situata është shumë më shqetësuese, pasi kanë kaluar rreth dy javë pa asnjë kontakt dhe pa asnjë të dhënë konkrete. Sipas dëshmisë së saj, natën kur u largua, 12-vjeçari ndodhej në banesë dhe përfitoi nga momenti kur familjarët ishin në gjumë për t’u larguar në mënyrë të fshehtë, duke dalë nga ballkoni. Në përpjekje për të gjetur të birin, nëna thotë se ka marrë disa informacione jozyrtare se ai mund të jetë parë në qytetin e Durrësit. Për këtë arsye, ajo është nisur vetë drejt këtij qyteti, me shpresën se do të arrijë ta gjejë.

Familja u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë parë Arjaniton ose disponojnë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tij, të kontaktojnë menjëherë në numrin +355 69 395 4449 ose të njoftojnë strukturat më të afërta të Policisë së Shtetit. Çdo informacion, sado i vogël të duket, mund të jetë vendimtar për gjetjen e 12-vjeçarit dhe rikthimin e tij pranë familjes.

Lini një koment