Sunday, 26 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperia“Besa e thyer si kokërr vezë për Milot-Balldren”, Gjekmarkaj: Investim i premtuar mbi 13 herë nga Rama

“Besa e thyer si kokërr vezë për Milot-Balldren”, Gjekmarkaj: Investim i premtuar mbi 13 herë nga Rama

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, e ka cilësuar aksin Milot–Balldren si një simbol turpi, faji, brengë dhe pabesie, duke kritikuar premtimet e përsëritura të qeverisë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai thotë se investimi në këtë aks rrugor është premtuar mbi 13 herë nga kryeministri Rama, por nuk është realizuar, ndërkohë që qytetarët që lëvizin në këtë rrugë përballen çdo ditë me një trafik të rënduar.

“Milot–Balldren sot është rruga simbol i turpit, i fajit, i brengës dhe i pabesisë! Trembëdhjetë a më shumë herë është premtuar nga Edi Rama dhe ministrat e tij të Infrastrukturës. Trembëdhjetë a më shumë herë është dhënë fjala, “besa”!Trembëdhjetë a më shumë herë ajo “besë” është thyer si të ishte një kokërr vezë! Me atë lehtësi! Kjo nuk është më një vonesë administrative, është një histori e gjatë mashtrimi publik dhe politik!
Si deputet i qarkut të Lezhës, e kam për detyrë t’u jap zë mijëra qytetarëve që çdo ditë mbeten peng të një segmenti prej vetëm 17 kilometrash, të cilat metër për metër e kilometër për kilometër janë trafik që të merr 2, 3 apo 4 orë!”, shkruan Gjekmarkaj.

Duke u ndalur tek deklaratat e ministri Karakaçi mbi projektin e rrugës Milot-Balldren, i cili tha se kushton rreth 365 milionë euro në një kontratë koncesionare 35-vjeçare, Gjekmarkaj thekson se duhet të bëhet transparencë për qytetarët.

“Kjo rrugë është arteria kryesore që lidh veriun me pjesën tjetër të vendit dhe me korridorin drejt Evropës.Çdo verë ajo shndërrohet në simbolin më të dukshëm sesi propaganda merr trajtën e gënjeshtrës.
Çdo verë vihet në lojë durimi e dinjiteti! Çdo verë është stinë ankthi!Turizmi dëmtohet, ekonomia ngadalësohet dhe qytetarët paguajnë faturën e paaftësisë ose të një modeli qeverisjeje që e ka kthyer premtimin në propagandë, besën në pabesi!”, tha ai.

Lini një koment