Pirlo, sponsori rus i basteve bëhet temë e nxehtë: Ai nuk mund të jetë trajner
Ditën e sotme, përveç polemikave për zgjedhjen e Pirlos si trajner i ri i Italisë, ka lindur edhe rasti i lidhur me Fonbet, një markë ndërkombëtare bastesh sportive, ku trajneri është ambasador global. Është e qartë se, nisur edhe nga rregullat italiane për bastet, Pirlo do të duhet të çlirohet nga kjo kontratë përpara se të nënshkruajë. Por kjo duhet të ndodhë së bashku me largimin e tij nga United FC të Dubait, ekipin e Emirateve të Bashkuara Arabe që ai drejton.
Presidenti dhe pronari i klubit, Sergey Lomakin, ka interesa të konsiderueshme financiare brenda Fonbet. Punësimi i Pirlos për të drejtuar klubin nënkuptonte gjithashtu shfrytëzimin e apelit të tij në media si kampion italian për të rritur profilin e kompanisë së basteve.
Çështja tani ka marrë edhe nuanca politike. Fonbet është një kompani ruse dhe Rusia, siç dihet mirë, është një vend nga i cili Italia u distancua pas sulmit ndaj Ukrainës.
“Kushdo që promovon ose ka promovuar Rusinë pas vitit 2022 nuk duhet të mbajë poste kombëtare”, komentoi Carlo Calenda. “Pas një tjetër humbjeje dhe një tjetër kualifikimi të dështuar në Kupën e Botës, futbolli italian kishte nevojë për një revolucion kulturor, etik dhe menaxherial. Zgjedhja e Andrea Pirlos”, postoi nënkryetarja e Parlamentit Europian, Pina Picierno, në X, “shkon në drejtimin e kundërt. Pirlo ka qenë një kampion i jashtëzakonshëm. Si trajner, deri më tani, ai ka treguar shumë pak. Dhe ka një çështje që nuk mund të shpërfillet si e parëndësishme”.
“Nuk ka rëndësi nëse Pirlo është pro-rus apo jo. Ajo që ka rëndësi është ajo që ai zgjodhi të bënte: t’i jepte lirisht dhe në mënyrë të përsëritur prestigjin e tij një përpjekjeje normalizimi për regjimin e Putinit, duke marrë pjesë në iniciativa të shfrytëzuara nga propaganda e Kremlinit ndërsa Ukraina po bombardohej. Kjo është arsyeja pse zgjedhja e Pirlos është një gabim i rëndë. Dhe zgjedhja e FIGC është edhe më e rëndë. Jo Plani B i Guardiolës. Plani Z i futbollit italian”.
Deputeti i Parlamentit Evropian, Benedetto Della Vedova, komentoi: “Disa muaj më parë, Pirlo mori një vendim që e konsideroj të pakuptueshëm dhe të gabuar: të bëhet ambasador global për Fonbet, agjencinë kryesore të basteve në Rusi. Sektori i basteve nuk preket nga sanksionet evropiane, por kjo nuk do të thotë që një figurë publike e nivelit të Andrea Pirlos nuk ka nevojë të reflektojë mbi rëndësinë publike të vendimeve private dhe të biznesit”.
“Personalisht, shpresoj që trajneri i ri i ekipit kombëtar të ndiejë nevojën për të ndërprerë kontratën e tij me Fonbet, veçanërisht duke pasur parasysh qëndrimin aktual të Italisë ndaj Rusisë. Në fakt, do të doja të mendoja se ai e ka bërë tashmë këtë”.