Të paktën 2 të vrarë e 5 të plagosur në të shtënat pranë Space Needle në Seattle
Në mbrëmjen e së dielës, dy persona u vranë dhe të paktën pesë të tjerë u plagosën gjatë një të shtëne në afërsi të Space Needle, në zonën e Seattle Center. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 lokale, ndërsa dy të dyshuar ndodhen në pranga, tha kryebashkiakja e Seattle, Katie Wilson.
Siç raporton CBS News, Departamenti i Zjarrfikësve të Seattle bëri të ditur se dy viktima u konstatuan të vdekur në vendngjarje pasi përpjekjet për tu shpëtuar nuk dhanë rezultat. Një grua 56-vjeçare u dërgua në Qendrën Mjekësore Harborview në gjendje serioze; tre të tjerë, përfshirë një djalë 2-vjeçar, u transportuan aty dhe janë në gjendje të qëndrueshme. Një person i pestë me lëndime të lehta vendosi të mos shkojë në spital.
Policia e Seattle njoftoi më herët në rrjetet sociale se po hetonte një të shtënë me viktima të shumta dhe kërkoi nga banorët dhe vizitorët që të shmangnin zonën. Zyra federale e Alkoholit, Duhanit, Armëve dhe Eksplozivëve (ATF) tha se agjentë të saj ishin në vendngjarje, por hetimin do ta drejtonte policia lokale. Guvernatori i Uashingtonit, Bob Ferguson, deklaroi se skuadra e SWAT-it të shtetit ishte nisur në përgjigje të kërkesës së policisë së Seattle.
Seattle Center është një zonë e frekuentuar nga turistët që përfshin Space Needle dhe Climate Pledge Arena, dhe në kohën e të shtënave aty po zhvillohej festivali i ushqimit Bite of Seattle. Dëshmitarë treguan se dëgjuan disa të shtëna, disa fillimisht menduan se ishin fishekzjarre, dhe më pas turma u shpërnda duke u larguar në panik.
Sipas CBS News, hetimet vazhdojnë dhe autoritetet u kërkojnë banorëve të qëndrojnë larg zonës ndërsa japin informacione të mëtejshme.