“Scientific Reports”: Konsumimi i rregullt i bajameve mund të ndihmojë në ngadalësimin e plakjes
– Konsumimi i rregullt i bajameve mund të përmirësojë disa tregues biologjikë që lidhen me stresin, një proces që dëmton qelizat dhe lidhet me plakjen dhe zhvillimin e disa sëmundjeve kronike, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore “Scientific Reports”.
Studimi u krye nga një ekip studiuesish i udhëhequr nga Dr. Ahmadreza Kolahi – studiues në Departamentin e Ushqyerjes Klinike, Shkollën e Shkencave të Ushqyerjes dhe Dietologjisë, Universiteti i Shkencave Mjekësore të Teheranit 1 dhe kolegët e tij, të cilët realizuan një rishikim sistematik dhe meta-analizë të provave klinike, të kontrolluara për të vlerësuar ndikimin e konsumit të bajameve në treguesit e stresit.
Studiuesit analizuan tetë prova klinike, përfshirë studime ku të njëjtët pjesëmarrës ndoqën dieta të ndryshme në periudha të ndryshme.
Në studim morën pjesë gjithsej 424 të rritur.
Hulumtimet e përfshira ishin kryer në vende të ndryshme dhe kishin vlerësuar efektet e konsumit të bajameve në doza nga 5 deri në 168 gramë në ditë, për periudha nga 4 deri në 24 javë.
Çfarë zbuluan studiuesit?
Rezultatet treguan se konsumimi i bajameve, veçanërisht në sasi mbi 60 gramë në ditë, lidhej me përmirësimin e stresit.
Gjithashtu u vu re një ulje e nivelit të malondialdehidit (MDA) – një tregues i dëmtimit oksidativ të yndyrave në trup; ulje e nivelit të 8-OHdG – një tregues i dëmtimit oksidativ të ADN-së; si dhe një rritje e aktivitetit të (SOD) – një nga enzimat kryesore mbrojtëse antioksiduese të organizmit.
Sipas studiuesve, këto ndryshime tregojnë se bajamet mund të ndihmojnë sistemet natyrore mbrojtëse të trupit kundër dëmtimeve qelizore.
Pse mund të kenë këtë efekt bajamet?
Bajamet përmbajnë një kombinim të lëndëve ushqyese që lidhen me shëndetin metabolik, përfshirë: vitaminën E, një antioksidant i fuqishëm që mbron membranat qelizore; polifenolet, përbërje bimore me veti antioksiduese; fibrat, që ndihmojnë shëndetin e zorrëve dhe kontrollin e sheqerit në gjak; si dhe yndyrnat e pangopura, të lidhura me shëndetin e zemrës.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ky studim nuk provon se bajamet të zgjasin jetën.
Analizat matën vetëm ndryshime në tregues biologjikë dhe jo jetëgjatësinë apo uljen direkte të sëmundjeve.
Ekspertët theksojnë se përfitimet nga bajamet duhet të shihen në kuadër të një diete të ekuilibruar.
Shtimi i tyre në ushqyerje mund të jetë më i dobishëm kur zëvendëson ushqime më pak të shëndetshme, si ëmbëlsirat e përpunuara apo ushqimet me yndyra të dëmshme.
Përfundimi i studiuesve: Bajamet mund të kontribuojnë në një profil më të mirë antioksidues të organizmit, por nuk janë një ilaç kundër plakjes.
Ato janë një pjesë e një modeli ushqimor të shëndetshëm, që mund të mbështesë funksionimin normal të trupit. /