Monday, 27 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaMarrëveshja ushtarake me SHBA-në, miratohet me 74 vota zhvillimi i seancës me dyer të mbyllura, Shehaj kundërshton

Marrëveshja ushtarake me SHBA-në, miratohet me 74 vota zhvillimi i seancës me dyer të mbyllura, Shehaj kundërshton

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi pasditen e së hënës seancën plenare për shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së huas direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF).

Në hapje të seancës, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, sqaroi procedurën e ndjekur për dokumentacionin e klasifikuar.

“Në vijim të seancës plenare deputetëve iu është shpërndarë deklarata e konfidencialitetit që duhej të firmosej nga çdo deputet që do të merrte në dorë projektligjin. Pas nënshkrimit të deklaratës deputetët mund të njiheshin me projektligjin dhe dokumentacionin përkatës me detyrimin për ruajtjen e konfidencialitetit të informacionit. Më pas projektligji dhe dokumentacioni duhej të dorëzohej sërish”, tha Peleshi.

Ai bëri të ditur se Komisioni për Ekonominë dhe Financat dhe Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Sigurinë Kombëtare kishin përfunduar shqyrtimin e projektligjit, ndërsa njoftoi se kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kishte kërkuar zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura.

“Për shkak të konfidencialitetit të marrëveshjes dhe dokumentacionit përkatës kërkohet që seanca plenare të zhvillohet e mbyllur gjatë shqyrtimit të projektligjit. Sipas rregullores, kërkesën për zhvillimin e një seance të mbyllur mund ta bëjë Presidenti, Kryeministri ose të paktën një e pesta e deputetëve”, u shpreh Peleshi.

Kreu i Kuvendit iu referua edhe incidentit të ndodhur më herët me deputetin Agron Shehaj. “Ju tërheq vëmendje për gjestin, në kundërshtim me rregullat dhe mbase edhe me ligjin.”, tha Peleshi.

Kërkesa për seancë të mbyllur u kundërshtua nga kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, i cili e cilësoi atë të pajustifikuar.

“Kërkesa juaj për të zhvilluar këtë seancë të mbyllur është skandaloze. Jeni bërë thjesht qesharakë me këto marrëveshjet tuaja. E provuat njëherë. Mendoni se do t’i shpëtoni drejtësisë duke bërë marrëveshje me SHBA-të, duke i bërë qejfin SHBA-ve”, deklaroi Shehaj.

Pas debatit, Peleshi hodhi në votim kërkesën e 40 deputetëve për zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura.

Kërkesa u miratua me 74 vota pro, ndërsa kryetari i Kuvendit njoftoi se “në zbatim të këtij vendimi media dhe publiku të largohet nga salla. Diskutimi do të jetë i mbyllur, ndërsa votimi i hapur.”

Lini një koment