Kërkesa e PS për përjashtimin me 60 ditë të Agron Shehajt nga Kuvendi, mblidhet nesër Sekretariati i Etikës
Sekretariati i Etikës do të mblidhet të martën e 28 korrikut në orën 09:30 për kërkesën per përjashtimin e deputetit dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe referimin pranë SPAK.
Partia Socialiste ka kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Shehaj pas publikimit të një videoje ku ai mori një kopje të marrëveshjes së huasë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes.
Përmes kërkesës së depozituar në Kuvend, socialistët kërkojnë përjashtimin e Shehajt nga pjesëmarrja në komisione dhe seanca plenare për një periudhë 60-ditore.
Sipas PS-së, deputeti Shehaj ka nxjerrë nga salla e Kuvendit një dokument që përmban informacion të mbrojtur me ligj, duke shkelur sipas tyre legjislacionin për informacionin e klasifikuar.