Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi: Marrëveshja e huasë me SHBA-në, akti më domethënës i mbështetjes që nga viti 1990
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e ka cilësuar ratifikimin në Kuvend të Marrëveshjes së Huasë direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një “ngjarje historike”, duke e konsideruar atë si dëshminë më konkrete të mbështetjes strategjike amerikane për vendin.
Sipas ministrit Nufi, ky akt përfaqëson zhvillimin më domethënës në terma konkretë dhe financiarë që prej rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Tiranës dhe Uashingtonit në vitin 1990 dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Investim strategjik për “NATO 3.0” dhe modernizimin e ushtrisë
Në një reagim të bërë publik në rrjetet sociale, kreu i dikasterit të Mbrojtjes nënvizoi se financimi nuk përbën thjesht një huazim financiar, por shërben si një platformë strategjike për modernizimin e kapaciteteve ushtarake dhe forcimin e rolit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike.
“Ratifikimi i sotëm nga Parlamenti i Marrëveshjes së Huasë direkte mes Shqipërisë dhe SHBA është një ngjarje historike! Që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA në 1990-tën, pas anëtarësimit në NATO, ky është akti më testimonial i mbështetjes ndaj Shqipërisë në terma konkretë dhe financiarë,” u shpreh Nufi.
Ministri më tej renditi tri shtyllat kryesore ku do të fokusohet efekti i këtij financimi prej 302 milionë dollarësh:
“Ajo nuk është thjesht një instrument financiar, por një investim strategjik për sigurinë kombëtare, forcimin e kapaciteteve dhe modernizimin e Forcave tona të Armatosura, si dhe thellimin e partneritetit strategjik të Shqipërisë me aleatin tonë më të rëndësishëm në siguri dhe mbrojtje,” përfundoi reagimin e tij Ministri i Mbrojtjes.