GJERMANI – “Porsche” shkurton edhe 5 000 vende të tjera pune
SHTUTGART, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Prodhuesi i njohur gjerman i makinave sportive “Porsche” ka njoftuar se do të shkurtojë edhe 5 000 vende pune në Gjermani deri në fund të vitit 2035, si pjesë e një plani ristrukturimi me vlerë 2,1 miliardë euro për të rikthyer fitimet e kompanisë.
Megjithatë, kompania garanton se nuk do të ketë pushime të detyruara nga puna gjatë kësaj periudhe.
Shkurtimet do të prekin kryesisht fabrikën kryesore në Stuttgart-Zuffenhausen dhe qendrën e kërkimit dhe zhvillimit në Weissach.
Sipas “Porsche”, reduktimi i stafit do të realizohet përmes daljes natyrore në pension, skemave të pensionit të parakohshëm dhe largimeve vullnetare, në marrëveshje me sindikatat dhe përfaqësuesit e punëtorëve.
Paketa e re parashikon gjithashtu masa kursimi për punonjësit, duke përfshirë shtyrjen e një pjese të rritjes së pagave deri në vitin 2035, uljen e shpërblimeve të fundvitit dhe lidhjen më të ngushtë të bonuseve me rezultatet financiare të kompanisë.
Ndërkohë, menaxherët nuk do të kenë rritje të pagës bazë në vitet 2027 dhe 2028, ndërsa puna nga shtëpia do të kufizohet në tetë ditë në muaj.
“Porsche” po përballet me rënie të ndjeshme të fitimeve për shkak të kostove në rritje, konkurrencës së fortë në tregun kinez, tarifave amerikane dhe kërkesës më të ulët se parashikimet për automjetet elektrike.
Në vitin 2025, fitimi neto i kompanisë ra me 91%, në 310 milionë euro, ndërsa shitjet globale u ulën me 10%, duke arritur në rreth 279 mijë automjete, niveli më i ulët që nga pandemia e COVID-19./ /Ad.Ab./ a.jor.