BERLIN – Gjermania ashpërson ligjet e sigurisë pas sulmit terrorist
BERLIN, 27 korrik /ATSH-AFP/ – Qeveria gjermane ka premtuar masa më të ashpra sigurie pas sulmit vdekjeprurës të së shtunës pranë Paradës së Krenarisë në Berlin, ku një 21-vjeçar i njohur nga autoritetet për lidhje me ekstremizmin islamik vrau një grua 65-vjeçare dhe plagosi 29 persona.
Sipas hetimeve, autori, Abdul Ballout, fillimisht përplasi një minibus me turmën dhe më pas sulmoi kalimtarët me një hanxhar.
Ai u vra nga policia një ditë më vonë gjatë një operacioni në Berlin, pasi iu afrua efektivëve i armatosur me një armë të ftohtë.
Ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt njoftoi se qeveria do të forcojë legjislacionin, duke zgjeruar përdorimin e byzylykëve elektronikë dhe paraburgimin parandalues për personat që konsiderohen kërcënim për sigurinë.
Ai kërkoi gjithashtu ndryshime në ligjin për të miturit, duke argumentuar se nuk duhet të zbatohet për persona të rritur që paraqesin rrezik të lartë.
Rasti ka shkaktuar debat të fortë në Gjermani, pasi Ballout kishte qenë i dënuar më parë për dhunë, grabitje dhe përpjekje për t’iu bashkuar grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS), por ishte liruar me kusht.
Ekspertët e sigurisë dhe sindikatat e policisë e kanë cilësuar lirimin e tij si një gabim të rëndë, duke kërkuar mbikëqyrje shumë më të rreptë për individët e radikalizuar.
Sulmi ka rritur edhe tensionet politike në prag të zgjedhjeve në Berlin, me partitë opozitare që kërkojnë masa më të forta kundër ekstremizmit dhe dhunës.
Kancelari Friedrich Merz deklaroi se autoritetet duhet të shpjegojnë se si një person me një profil të tillë arriti të afrohej pa pengesa pranë një aktiviteti me pjesëmarrje masive. /Ad.Ab./ a.jor.