Tuesday, 28 July 2026
54°F Detroit
BallinaBotaROMË – Italia ul sërish akcizën për naftën për të frenuar rritjen e çmimeve të karburantit

ROMË – Italia ul sërish akcizën për naftën për të frenuar rritjen e çmimeve të karburantit

ROMË , 28 korrik /ATSH-DPA/- Qeveria italiane ka miratuar sërish një ulje të përkohshme të akcizës – taksa që shteti vendos ndaj karburanteve – për naftën, për të zbutur rritjen e çmimeve.

Sipas dekretit të miratuar dje në mbrëmje, çmimi i naftës do të ulet me 17 cent për litër deri më 6 gusht. Kjo masë nuk vlen për benzinën.

Vendimi u miratua nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni.

Ministri italian i Financave, Giancarlo Giorgetti, tha se kjo masë do t’i kushtojë shtetit rreth 125 milionë euro.

Qeveria e justifikoi vendimin me rritjen e çmimit të naftës, e shkaktuar nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe mbyllja pothuajse e plotë e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare shumë e rëndësishme për transportin e naftës.

Ndërkohë, në Gjermani, qeveria ka përjashtuar mundësinë e një uljeje tjetër të taksave ndaj karburanteve, pas masave të ngjashme të marra në maj dhe qershor.

Meloni tha se kjo ulje nuk e zgjidh problemin në themel, por është një reagim i shpejtë dhe i përgjegjshëm, duke pasur parasysh fondet e kufizuara të shtetit dhe situatën ndërkombëtare që ndryshon vazhdimisht.

Qeveria italiane do ta rishqyrtojë situatën në një mbledhje javën e ardhshme, për të vendosur nëse ulja e akcizës për naftën do të vazhdojë edhe pas 6 gushtit, në varësi të të ardhurave nga taksat. /

Lini një koment