SHBA – Trump përballet me Gjykatën e Lartë, kërkon të rikthejë kufizimet për votimin me postë
UASHINGTON, 28 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të SHBA-së, të lejojë administratën e tij të zbatojë një urdhër ekzekutiv, që shtrëngon rregullat për votimin me postë dhe krijon lista federale për verifikimin e të drejtës së votuesve, vetëm pak muaj para zgjedhjeve të mesmandatit.
Departamenti amerikan i Drejtësisë paraqiti dje një kërkesë urgjente, për të pezulluar vendimin e një gjykate më të ulët, e cila kishte bllokuar mbledhjen e të dhënave për votuesit dhe zbatimin e rregullave të reja, për votimin me postë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Një gjykatë federale apeli kishte lënë në fuqi këtë vendim, duke argumentuar se Trump kishte tejkaluar kompetencat e tij.
Sipas Kushtetutës amerikane dhe ligjeve federale, organizimi dhe administrimi i zgjedhjeve është përgjegjësi e shteteve amerikane, dhe jo e presidentit.
Gjykata tha se presidenti nuk mund t’i vendosë këto ndryshime, vetëm me urdhër ekzekutiv, pa një autorizim të qartë nga Kongresi amerikan.
Palët që e kundërshtojnë urdhrin – kryesisht shtete të drejtuara nga demokratët dhe Distrikti i Kolumbias – kanë afat deri më 3 gusht për t’iu përgjigjur kërkesës së administratës Trump.
Çfarë parashikon urdhri i Trump?
Urdhri ekzekutiv, i firmosur në mars, u kërkonte autoriteteve amerikane të imigracionit dhe të sigurimeve shoqërore, të krijonin lista me shtetasit amerikanë, që jetojnë në secilin shtet.
Ai synonte gjithashtu, që Shërbimi Postar Amerikan t’u dërgonte dokumentet për votim me postë vetëm personave të regjistruar si votues; vendosjen e rregullave më të rrepta për regjistrimin e votuesve si dhe kërkimin e dokumenteve që vërtetojnë identitetin dhe shtetësinë amerikane.
Sipas organizatës jopartiake Konferenca Kombëtare e Legjislaturave të Shteteve, aktualisht votuesit në 36 nga 50 shtetet amerikane, duhet të paraqesin një formë identifikimi gjatë votimit.
Trump argumenton se ndryshimet, do t’i bëjnë zgjedhjet më të drejta dhe do të pengojnë votimin, nga persona që nuk janë shtetas amerikanë.
Kundërshtarët e tij thonë se rastet e votimit, nga persona pa të drejtë vote, janë shumë të rralla dhe paralajmërojnë se rregullat e reja, mund të pengojnë votues të ligjshëm që nuk kanë dokumente të gatshme, si pasaportë ose certifikatë lindjeje.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, vetëm rreth gjysma e qytetarëve amerikanë kanë pasaportë.
Në zgjedhjet e nëntorit do të zgjidhen të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe rreth një e treta e Senatit amerikan. /