I pandehur për korrupsion në zgjedhje, dëshmon kryebashkiaku i Vaut të Dejës: S’kam blerë vota
Kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli, i cili është marrë i pandehur nga SPAK për çështjen e korrupsionit në zgjedhje, ka dhënë dëshminë e tij përpara togave të zeza në procesin gjyqësor që po zhvillohet në ngarkim të tij.
Gjatë seancës gjyqësore, Shkreli ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat për blerje votash apo premtime për të mira materiale dhe vende pune, duke dhënë shpjegimet e tij mbi përgjimet dhe mesazhet e përfshira në dosjen e prokurorisë.
“Nuk kam ofruar dhe premtuar asgjë në këmbim të votës. Fshati Stajkë kishte problematikë që në vitin 2019 me energjinë elektrike. Unë çdo ditë bëj telefonata për problematikat e banorëve. Unë mund të jem edhe sot në përgjim, dje mora një drejtor tjetër se kishte problem me dritat në një fshat tjetër, marr edhe drejtorin e spitalit kur ka problematikë e më vijnë ankesa.
Mesazhi që prokuroria thotë ‘jepi zjerm’ është se unë kam kërkuar që në takimin elektoral që ishte lënë të kishte brohoritje e ovacione, jo të kem kërkuar vota apo të kem ofruar të mira materiale apo vende pune.
Unë kam kërkuar që të vijnë sa më shumë njerëz në miting, si tek ai i PS-së ashtu edhe ai i PSD-së. Ka qenë situatë e tensionuar, 500 herë më kanë marrë në telefon për problemin e banorëve, nuk më pushonte telefoni nga ankesat. Banorët kishin 2 javë pa drita. Një frazë që prokuroria thotë se u kam thënë banorëve ‘ja kam dhënë unë lekët’, është që të bindja qytetarët se defekti i linjës do të rregullohej, por unë s’i kam dhënë asnjë lek OSHEE-së.
Agentët e BKH-së erdhën tek banesa dhe lokali im, ishin me shumë forca policie. Çunat e nderuar më kontrolluan, më morën telefonin që kisha në dorë. I pyeta çfarë ju duhet, më dhanë ‘më jep pasword-in e celularit’, i thashë ‘patjetër’, ja hapa celularin e ua dhashë”, tha ai.