SHBA – Administrata Trump përshpejton dëbimin e azilkërkuesve
UASHINGTON, 28 korrik /ATSH-AFP/ – Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump njoftoi sot një ndryshim në procedurën e shqyrtimit të kërkesave për azil, një reformë që synon të përshpejtojë dëbimin e qindra mijëra azilkërkuesve në Shtetet e Bashkuara.
Sipas rregullave të reja, kërkesat për azil do t’u kalojnë drejtpërdrejt gjyqtarëve të emigracionit, pa kaluar më parë në intervistën paraprake me zyrtarët e shërbimeve të emigracionit.
Administrata argumenton se sistemi aktual u jep mundësi aplikantëve të kenë një “shans të dytë” për të marrë azil.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare theksoi se ndryshimet do të shkurtojnë ndjeshëm kohën e nevojshme për shqyrtimin e kërkesave dhe për marrjen e vendimeve.
Sipas autoriteteve amerikane, deri në 444 724 persona, procedurat e të cilëve janë ende në shqyrtim, mund të preken nga rregullat e reja.
Aktualisht, në sistem ndodhen rreth 1,5 milionë kërkesa për azil.
Drejtori i Shërbimit të Shtetësisë dhe Emigracionit (USCIS), Joseph Edlow, deklaroi se sistemi i azilit duhet të mbrojë vetëm personat që përballen realisht me persekutim, ndërsa burimet duhet të përqendrohen në shqyrtimin e shpejtë të këtyre rasteve.
Sipas tij, reforma synon të pengojë ata që, sipas administratës, e përdorin procedurën e azilit vetëm për të zgjatur qëndrimin në territorin amerikan.
Rregullorja e re hyn në fuqi menjëherë dhe pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mijëra çështje që ndodhen aktualisht në proces.
Autoritetet amerikane besojnë se ndryshimet do të ulin ngarkesën e sistemit të emigracionit dhe do të përshpejtojnë vendimmarrjen për rastet në pritje.
Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë me premtimin për të ashpërsuar politikën e emigracionit. Që nga marrja e detyrës, administrata e tij ka ndërmarrë një sërë masash për forcimin e kontrolleve kufitare, kufizimin e emigracionit të paligjshëm dhe përshpejtimin e dëbimit të personave që qëndrojnë në SHBA pa dokumente ligjore./ /Ad.Ab./ a.jor.