“Do na mungosh gjithë jetën”, deputetja e PD-së humb bashkëshortin në moshën 46-vjeçare, mesazhi prekës
Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti ka humbur bashkëshortin e saj në një moshë relativisht të re. Ka qenë vetë Hoti që ka ndarë lajmin e hidhur në rrjetet sociale, ku ka publikuar dy foto dhe fjalë të ndjera për humbjen e madhe.
“U prehsh në paqe, i miri i zemrës time! Ladi im, shpirti im. Do na mungosh gjithë jetën,” shkroi Hoti, duke e shoqëruar postimin me disa fotografi familjare.
Më pas edhe vëllai i të ndjerit, Aleksandër Ndoja, bëri me dije se Ladi Ndoja humbi jetën si pasojë e një ataku kardiak. Ai e përshkroi ndarjen e tij nga jeta si një goditje të papritur për familjen, duke theksuar se ai la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre të vegjël.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë se vëllai ynë i dashur, Ladi Ndoja, u nda papritur nga jeta në moshën vetëm 46-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak. Një humbje që na ka lënë pa fjalë. Ladi la pas bashkëshorten e tij të dashur, Elda Hoti, dhe dy fëmijët e vegjël,” shkruan ai në mesazhin e publikuar.
Lajmi i hidhur ka sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale, ku miq, kolegë dhe qytetarë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për deputeten dhe familjen Ndoja në këtë moment të vështirë.