“A do votoi PD për Prokurorin e ri të Përgjithshëm?”, përgjigjet Berisha: Ai i institucion nuk ka rolin që duhet të ketë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas daljes nga ambientet e SPAK, ku u paraqit këtë të hënë në kuadër të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”, ka komentuar edhe debatin për garën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.
Berisha tha se opozita nuk do të marrë pjesë në përzgjedhjen e emrave për këtë proces, duke theksuar se pas përplasjes për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, PD ka ndërprerë bashkëpunimin në këto procedura.
“Ne nuk marrim pjesë në përzgjedhje emrash. Pas aktit të tyre me Avokatin e Popullit, ne kemi ndërprerë çdo lloj bashkëpunimi në përzgjedhjen e emrave”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm është dobësuar ndjeshëm dhe nuk ka më rolin kushtetues që duhet të ketë.
“Prokurori i Përgjithshëm sot është institucioni më i zhveshur nga çdo kompetencë. Kur dëgjoj ndonjëherë raportin e tij, ai flet sikur është drejtori i statistikave të policisë. Është një zhveshje e gabuar që i është bërë një institucioni kushtetues”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha kërkoi një rishikim të rolit të Prokurorisë së Përgjithshme, duke ngritur edhe kritika për mënyrën e funksionimit të institucioneve të drejtësisë.
“Ky institucion mund të rishikohet për të korrigjuar disa gabime që janë bërë. Për shembull, këta këtu (SPAK), këta hetojnë veten e tyre. Nuk ndodh në botë kështu që një institucion për çështje penale të hetojë veten e tij”, tha ai.
Sipas Berishës, duhet të ketë një mekanizëm tjetër institucional që të garantojë kontroll dhe përgjegjshmëri.
“Është e domosdoshme që një institucion tjetër kushtetues të marrë disa atribute, në mënyrë që askush të mos ndjehet mbi ligjin. Në këtë formë, siç e kanë krasitur komplet Prokurorinë e Përgjithshme, ai institucion nuk ka rolin që duhet të ketë”, përfundoi Berisha.