Monday, 3 August 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaMinistri i Energjisë dhe Infrastrukturës Karakaçi dhe Ambasadori gjerman Karl Bergner, firmosi tre marrëveshje me vlerë 110 mln euro

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Karakaçi dhe Ambasadori gjerman Karl Bergner, firmosi tre marrëveshje me vlerë 110 mln euro

Shqipëria dhe Gjermania kanë forcuar bashkëpunimin në sektorin energjetik me nënshkrimin e tre marrëveshjeve të reja me një vlerë totale prej rreth 114 milionë eurosh, ku përfshihen hua dhe grante për projekte me rëndësi publike.

Marrëveshjet u firmosën këtë të hënë mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe qeverisë gjermane përmes bankës gjermane të zhvillimit KfW. Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe ambasadori gjerman Karl Bergner.

Sipas ministrit Karakaçi, marrëveshja e parë lidhet me rritjen e eficiencës dhe digjitalizimin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike.

“Bëjmë digjitalizimin e të gjithë sistemit të transmetimit duke dhënë mundësi që të automatizojmë të gjitha proceset që lidhen me ndërlidhjen e nënstacioneve dhe operimin energjetik”, deklaroi ministri.

Një tjetër marrëveshje parashikon rehabilitimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, një prej veprave më të rëndësishme energjetike publike në vend. Projekti do të mbështetet nga financimi gjerman dhe synon përmirësimin e kapaciteteve dhe sigurisë së këtij impianti.

Marrëveshja e tretë lidhet me eficiencën energjetike në konviktet e Qytetit Studenti në Tiranë. Për këtë projekt është parashikuar një grant prej rreth 24 milionë eurosh nga qeveria gjermane, përmes KfW-së, me qëllim modernizimin e godinave dhe uljen e konsumit të energjisë.

“Janë ambiente që shkojnë në të mirë publike, për studentët, për një jetë më të mirë dhe për një proces më të mirë të nxënies, por edhe për kursimin energjetik, pasi të gjitha ambientet do të jenë me eficiencë energjie”, tha Karakaçi.

Nga ana tjetër, ambasadori gjerman Karl Bergner e cilësoi sektorin energjetik si një nga fushat kryesore të bashkëpunimit financiar mes dy vendeve.

“Këto marrëveshje forcojnë marrëdhënien e mirë që KfW ka me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Sektori i energjisë është një nga sektorët më të mëdhenj të bashkëpunimit financiar”, u shpreh ambasadori.

Ai theksoi se projektet e reja janë pjesë e mbështetjes së Gjermanisë për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian.

“Kjo është fillimi i një bashkëpunimi akoma më intensiv në të ardhmen, duke shoqëruar Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Bergner.

Tre marrëveshjet synojnë të ndikojnë në modernizimin e infrastrukturës energjetike, rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e shërbimeve publike në Shqipëri.

Lini një koment