Alarm për të nxehtë ekstrem, ja kur do të arrijë termometri mbi 40 gradë Celsius
Këtë të hënë, meteorologu Akil Osmani, i ftuar në një lidhje live në Euronews Albania me gazetarin Ilir Kazaferin, ka folur për parashikimin e motit gjatë kësaj jave.
Osmani u shpreh se do të ketë temperatura të larta, me rritje graduale deri në fundjavë. Sakaq, ai theksoi se temperaturat do të regjistrohen mbi vlerën 40 gradë Celsius.
“Duke filluar nga dita e nesërme dhe në vijim, do të kemi rritje graduale të temperaturave të ajrit. Nga dita e premte dhe gjatë fundjavës do të kemi temperatura që do të regjistrohen mbi 40 gradë Celsius, duke përfshirë edhe qarqet e Tiranës, ku pritet të afrohen deri në 42 gradë Celsius. Gjithashtu, edhe në zonat verilindore priten temperatura shumë të larta. Vala e të nxehtit ka prekur rajonin e Ballkanit dhe pritet që gjatë pjesës së dytë të javës të intensifikohet gradualisht. Ditën e sotme pritet që vranësirat të bëhen më të dukshme në gjysmën lindore të territorit shqiptar. Ndërsa sot temperaturat do të jenë më komode, me maksimumet që mund të jenë 7 gradë më të larta”, tha Osmani.