Theu masën “arrest në shtëpi” dhe tentoi të vidhte një banesë, në pranga 49-vjeçari në Korçë
Një 49-vjeçar ka rënë në pranga këtë të hënë nga Policia e Korçës, pasi ka tentuar të vjedhë një banesë, ndërkohë që ka qenë në arrest shtëpie.
Sipas njoftimit të policisë, është vënë në pranga Genci Sanço, i cili ka tentuar të vjedhë një banesë në fshatin Goskove, ndërkohë që ishte në masën e arrestit shtëpiak për drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt dhe pa leje drejtimi.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, dje, pas kallëzimit nga një shtetas për tentativë për vjedhje në banesën e tij, në fshatin Goskovë, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit G. S., 49 vjeç, banues në fshatin Goskovë. Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe drejtonte automjetin, pa leje drejtimi.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale Vjedhja”, mbetur në tentativë, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit””, thuhet në njoftimin e policisë.