AKK kundërshton Projektligjin për Pronën Publike
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kundërshtuar Projektligjin për Pronën Publike, duke kërkuar që komunat të vazhdojnë të njihen si pronare të pronës komunale.
Në një njoftim të publikuar në Facebook, AKK ka bërë të ditur se çështja është diskutuar në Këshillin e Kryetarëve, ku, sipas këtij asociacioni, kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave të pranishëm kanë mbështetur unanimisht kërkesat e komunave.
Projektligji parasheh që komunat të mos jenë më pronare të pronës komunale, por vetëm shfrytëzuese apo administruese të saj, sipas AKK-së.
“Duart larg nga prona e komunave – kryetarët unanimisht kundër centralizimit!”, thuhet në reagimin e AKK-së.
Sipas Asociacionit, një qasje e tillë “cenon autonominë lokale, bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe e godet drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik të komunave”.
“Mesazhi është i prerë: prona komunale u takon komunave dhe nuk mund të tjetërsohet përmes një Projektligji centralizues!”, thuhet në reagim.
AKK ka bërë të ditur se kërkesat e miratuara nga kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave do t’i dërgohen Ministrisë së Drejtësisë.
Ndër kërkesat kryesore të komunave janë që ato të njihen shprehimisht si pronare të pronës komunale dhe të hiqet përcaktimi se Republika e Kosovës është pronare e vetme e tërë pronës publike.
Po ashtu, AKK kërkon që kuvendet komunale ta ruajnë të drejtën e vendimmarrjes për bartjen, këmbimin dhe dhënien me qira të pronës komunale, ndërsa prona e blerë, ndërtuar ose krijuar me mjete komunale të regjistrohet në emër të komunës.
Asociacioni kërkon gjithashtu që regjistri unik qendror i pronës publike të ketë vetëm karakter koordinues dhe të mos e zëvendësojë regjistrin komunal.
Në kërkesat e tyre përfshihet edhe moskufizimi i kompetencave vetanake të komunave në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, planifikimit dhe shfrytëzimit të tokës, si dhe kufizimi i mbikëqyrjes qendrore vetëm në kontrollin e ligjshmërisë.
AKK kërkon që të hyrat nga prona komunale t’u takojnë komunave dhe që të përdoren të gjitha mjetet ligjore për të parandaluar, siç e cilëson, centralizimin e kësaj kompetence.
Në fund, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar “rishikimin rrënjësor të Projektligjit dhe përfshirjen e plotë të kërkesave të komunave”. /Telegrafi/