Magjistratët kërkojnë rillogaritjen e pagave: Vendimi i Kushtetueses duhet të zbatohet automatikisht
Gjykata Kushtetuese detyroi Kuvendin që deri më 31 korrik 2026 të miratonte një formulë të re për përllogaritjen e pagave të magjistratëve, por afati kaloi pa u bërë ndryshimet ligjore.
Ndërkohë, shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kërkojnë që, duke nisur nga 1 gushti, pagat të llogariten sipas formulës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Mosveprimi nga ana e Kuvendit si më lart nuk ka krijuar një boshllëk ligjor, pasi vetë Gjykata Kushtetuese ka parashikuar mekanizmin e zbatueshëm në këtë situatë. Për rrjedhojë, duke filluar nga data 01.08.2026, përllogaritja e pagave të magjistratëve do të duhet të kryhet mbi bazën e formulës që i referohet pagës së funksionarit të administratës së lartë publike, sipas vendimit nr. 35/2022 të Gjykatës Kushtetuese. E njëjta formulë, sipas vendimit nr. 15/2026, zbatohet me efekt prapaveprues për periudhën 01.04.2023–31.07.2026”, thuhet në kërkesë.
Përplasja për pagat e magjistratëve nisi pas ndryshimeve ligjore të vitit 2023, kur qeveria ndryshoi formulën e përllogaritjes së tyre, një vendim që gjyqtarët e kundërshtuan duke argumentuar se u solli një ulje të fshehur të pagës.