GREQI – Athina përballet me zjarre të pakontrolluara, evakuohet një park industrial
ATHINË, 3 gusht /ATSH-DPA/- Një park industrial në qytetin grek të Megaras u evakuua sot, për shkak të një zjarri të madh pyjor që po afrohej, njoftuan autoritetet lokale.
Agjencia e Mbrojtjes Civile u kërkoi personave që ndodheshin në zonën industriale, të largoheshin drejt qytetit të Megaras.
Qyteti, me rreth 36 mijë banorë, ndodhet rreth 45 kilometra në perëndim të Athinës, pranë autostradës Olympia Odos që lidh kryeqytetin grek me gadishullin e Peloponezit.
Zjarret në zonat perëndimore të Athinës kanë vazhduar të jenë jashtë kontrollit, ndërsa zjarrfikësit po përballen me dy vatra të mëdha, pavarësisht se erërat janë dobësuar.
Ekipet e emergjencës po përqendrohen te zjarret pranë fshatit malor, Agios Nektarios dhe në veriperëndim të Megaras.
Para evakuimit të parkut industrial, banorët e tre komuniteteve më të vogla pranë zonës u detyruan të largoheshin.
Autoritetet greke paralajmëruan se, edhe pse era ishte qetësuar, operacionet e shuarjes mbeten të rrezikshme dhe rreziku nga zjarret vazhdon të jetë shumë i lartë.
Gjatë operacioneve dje, dy pilotë humbën jetën pasi dy helikopterë zjarrfikës u përplasën pranë Athinës. Për ngjarjen ka nisur një hetim.
Tre zjarrfikës të tjerë humbën jetën, javën e kaluar gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarreve në Kretë dhe Peloponez.
Autoritetet thanë se do të nisin sa më shpejt vlerësimin e dëmeve në banesa, në mënyrë që banorët e prekur të marrin ndihmën financiare.
Sipas medias greke, qindra banesa janë shkatërruar pranë Athinës dhe rreth 10 mijë hektarë tokë janë djegur. /