Monday, 3 August 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaZjarret në Finiq, Lamallari: Situatë e vështirë. Punojmë nga toka e ajri për shuarjen

Zjarret në Finiq, Lamallari: Situatë e vështirë. Punojmë nga toka e ajri për shuarjen

Agjencia për Media dhe Informim ka reaguar në rrjetet sociale sot në 3 gusht në lidhje me zjarret e rëna në Finiq.

MIA ka shpërndarë një video, ku shfaqen helikopterë, që shuajnë flakët. Në njoftim, thuhet se helikopterët Cougar dhe Black Hauk janë duke vepruar, për të vendosur zjarret nën kontroll.

“Aktualisht janë duke u zhvilluar misione nga ajri në mbështetje të operacionit për shuarjen e flakëve në Finiq.

Helikopterët Caugar dhe Black Hauk në veprim të pandërprerë për të izoluar dhe neutralizuar flakët”, thuhet në postimin e Agjencisë për Media dhe Informim.

Gjithashtu, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka reaguar për flakët në zonën e Finiqit.

Ministri shprehet se situata në terren është e vështirë dhe se të gjitha strukturat shtetërore janë në zonë, duke punuar për të shuar zjarret. Shton se prioritet absolut i qeverisë është mbrojtja e jetës së qytetarëve.

“Prej orësh po përballemi me situatë të vështirë nga zjarret në disa fshatra të Delvinës dhe të Finiqit. Të gjitha strukturat tona janë në terren dhe operacioni vijon pa ndërprerje, si nga toka, ashtu edhe nga ajri, me angazhimin e forcave të shumta zjarrfikëse, të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, shërbimeve vendore dhe 3 helikopterëve.

Prioriteti ynë absolut është mbrojtja e jetës së qytetarëve, e banesave dhe e çdo pasurie të rrezikuar. Ju bëjmë thirrje banorëve, që të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin çdo veprim, që mund të sjellë rrezik shtesë”, shkruan ministri Lamallari.

Situata nga flakët në Finiq mbetet kritike edhe sot në 3 gusht. Zjarri në pyje është kthyer në një rrezik edhe për banesat përreth. Edhe për shkak të erës së fortë, flakët kanë “zbritur” në zonën e banuar.

Disa fshatra rrezikohen nga zjarri, duke e bërë situatën emergjente për ndërhyrje.

Lini një koment