Monday, 3 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaSHBA – Raportohen dy vdekjet e para nga shpërthimi i ciklosporiazës në Miçigan

SHBA – Raportohen dy vdekjet e para nga shpërthimi i ciklosporiazës në Miçigan

UASHINGTON, 3 gusht /ATSH-DPA/- Dy persona kanë vdekur në Miçigan pas shpërthimit të ciklosporiazës, një sëmundje e zorrëve e shkaktuar nga një parazit.

Autoritetet lokale njoftuan sot se këto janë vdekjet e para të regjistruara pas këtij shpërthimi që ka përfshirë SHBA-në.

“Bazuar në të dhënat mjekësore, të dy personat kishin probleme të rënda shëndetësore ekzistuese, të cilat mund të jenë përkeqësuar nga ciklosporiaza dhe dehidratimi, mungesa e lëngjeve në trup”, tha Departamenti i Shëndetësisë i Miçiganit në një deklaratë.

Autoritetet thanë se nuk do të japin më shumë detaje për këto dy raste.

Në të njëjtën kohë, ato theksuan se ciklosporiaza zakonisht nuk është një sëmundje vdekjeprurëse.

“Vdekjet nga kjo sëmundje janë të rralla në SHBA”, u shprehën autoritetet.

Në javët e fundit është shënuar një rritje e rasteve të ciklosporiazës në të gjithë SHBA-në.

Sipas të dhënave më të fundit të Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), nga fillimi i majit deri në fund të korrikut, janë regjistruar 6 707 raste të konfirmuara, ndërsa 423 persona janë shtruar në spital.

Raste janë raportuar pothuajse në çdo shtet amerikan.

Dyshohet se shkak është sallata jeshile e grirë

Shkaku i shpërthimit ende nuk është përcaktuar me siguri. Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) i ka lidhur infeksionet me sallatën jeshile “iceberg” të grirë imët, të ardhur nga një furnizues në Meksikë, megjithëse analizat laboratorike ende nuk e kanë konfirmuar këtë.

Një mostër nga kompania “Taylor Farms” në Meksikë, doli gabimisht pozitive për parazitin “Ciklospora”, sipas kompanisë, e cila tha se FDA-ja më pas kishte kërkuar falje.

Megjithatë, FDA-ja vazhdoi hetimet dhe tha se gjurmimi i produkteve, vazhdonte të tregonte se sallata e prerë paraprakisht e kompanisë, ishte një burim i mundshëm i shpërthimit.

Agjencia deklaroi se do të vijojë hetimet dhe do të sigurohet që produktet e prekura nga paraziti të hiqen nga tregu.

Simptomat: Diarre

Paraziti Ciklospora zakonisht nuk përhapet nga një person te tjetri, por përmes ushqimit ose ujit të ndotur me mbetje fekale.

Ai prek zorrën e hollë dhe shkakton, diarre të ujshme, jashtëqitje të shpeshta, ndonjëherë dhimbje dhe shqetësime të forta të barkut.

Shpërthimet e ciklosporiazës zakonisht ndodhin gjatë muajve të verës. /

Lini një koment