Peticion për hapjen e një konsullate shqiptare me shërbim të plotë në Detroit
Organizata BESO TE DIASPORA ka nisur një peticion për hapjen e një konsullate shqiptare me shërbim të plotë në zonën metropolitane të Detroitit, në Michigan, me synimin për t’u shërbyer shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet dhe më gjerë në rajonin e Midwest-it të Shteteve të Bashkuara.
Sipas organizatorëve të nismës, komuniteti shqiptar në Michigan numëron rreth 200 mijë anëtarë dhe, së bashku me komunitetet shqiptare në shtetet e tjera të Midwest-it, ka nevojë për një përfaqësi konsullore që të ofrojë shërbime të plota dhe më pranë vendbanimit të tyre.
BESO TE DIASPORA njofton se kërkesa zyrtare drejtuar Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë është përgatitur dhe pritet të dorëzohet së shpejti. Organizata bën të ditur gjithashtu se teksti i plotë i kërkesës do të publikohet pas dorëzimit në ministri.
Sipas presidentit të organizatës, Altin Zaloshnja, nisma ka marrë mbështetjen e komuniteteve fetare shqiptare në Michigan, shoqatave të komunitetit, bizneseve në pronësi të shqiptaro-amerikanëve, si dhe të shumë qytetarëve që e kanë nënshkruar peticionin në versionin e tij në letër.
Peticioni është vënë në dispozicion edhe në formë elektronike, duke u dhënë mundësi qytetarëve shqiptarë, pavarësisht vendit ku jetojnë, të shprehin mbështetjen e tyre për kërkesën.
Organizatorët u bëjnë thirrje veçanërisht shqiptarëve të Michiganit dhe të shteteve të tjera të Midwest-it që t’i bashkohen nismës. Ata sqarojnë se nënshkruesit nuk duhet të bëjnë donacion gjatë procesit të firmosjes së peticionit online dhe duhet të ndjekin udhëzimet e paraqitura hap pas hapi në shqip dhe anglisht.
Në njoftimin e saj, BESO TE DIASPORA thekson se kërkesa do të ndiqet në mënyrë publike dhe transparente dhe se opinioni do të informohet për tekstin që do t’i paraqitet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Nisma synon që zona e Detroitit, ku prej dekadash është përqendruar një komunitet i rëndësishëm shqiptaro-amerikan, të ketë një konsullatë shqiptare me shërbim të plotë, duke lehtësuar marrjen e shërbimeve konsullore për qytetarët shqiptarë të Michiganit dhe të një pjese të gjerë të Midwest-it amerikan.
Linku per te neneshkruar peticionin e gjeni duke klikuar ketu