Abuzimi seksual i 15-vjeçares në Lezhë, arrestohet i riu dhe gruaja që mundësoi takimin
Dy persona janë ndaluar nga Policia e Lezhës sot më 19 nëntor, pas hetimeve për rastin e abuzimit seksual ndaj një 15-vjeçareje me probleme të shëndetit mendor.
Në pranga ka rënë E. K., 32 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”, si dhe A. Gj., 46 vjeçe, e dyshuar për trafikim të të miturve dhe moskallëzim të krimit.
Sipas policisë, 32-vjeçari dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën, ndërsa 46-vjeçarja dyshohet se ka ndërmjetësuar takimin mes tyre. Veprimet hetimore u kryen nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë dhe nën drejtimin e Prokurorisë. Rasti u denoncua nga familjarët e vajzës, njëri prej të cilëve u paraqit në polici për të bërë kallëzim.
Ngjarja e rëndë u bë publike në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan, ku u transmetua dëshmia e 15-vjeçares dhe komunikimi me kamerë të fshehtë me 32-vjeçarin. Sipas rrëfimit të të miturës, ajo ishte njohur në TikTok me një grua rreth 50 vjeçe, e cila e kishte prezantuar me të riun. Pasi ishte larguar nga banesa pa dijeninë e familjarëve, vajza kishte udhëtuar drejt Lezhës, ku ishte takuar me të dy.
E mitura tregoi se fillimisht kishin qëndruar në një lokal dhe më pas kishin shkuar në një hotel, ku kishin kaluar disa orë. Ajo pretendoi se pasi kishte konsumuar një pije alkoolike, i ishin marrë mendtë dhe nuk kishte kuptuar më se çfarë po ndodhte.
Ndërkohë, i pyetur nga gazetarët e “Stop”, 32-vjeçari pranoi takimin dhe marrëdhënien seksuale, duke bërë deklarata justifikuese për sjelljen e vajzës, edhe pse ajo ishte e mitur. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.