Amfiteatri i Durrësit pret teatrin bullgar, “The Little Dog Laughed” në skenën e festivalit
Amfiteatri i Durrësit u shndërrua në skenën e një tjetër mbrëmjeje të veçantë artistike, në kuadër të “Dyrrachium International Theater Festival”, me publikun që ndoqi monodramën “The Little Dog Laughed”, të interpretuar nga aktori bullgar Sevar Ivanov.
Me regji të Ana Bateva, shfaqja solli përmes humorit dhe ironisë një interpretim të veçantë të teatrit bashkëkohor bullgar, duke tërhequr vëmendjen e publikut në skenën historike të Amfiteatrit.
Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako ndau momente nga shfaqja, duke e cilësuar atë si një tjetër përvojë artistike që pasuron programin e festivalit dhe sjell në qytet vlerat e teatrit bashkëkohor ndërkombëtar.
Produksioni “The Little Dog Laughed” është vlerësuar në festivale ndërkombëtare dhe është shpërblyer me disa çmime për interpretimin e aktorit më të mirë.
Përmes pjesëmarrjes së trupave dhe artistëve të huaj, “Dyrrachium International Theater Festival” po sjell në Durrës një program të larmishëm teatror, duke krijuar një hapësirë për dialog dhe shkëmbim kulturor mes artistëve nga vende të ndryshme.
Në këtë edicion, Amfiteatri i Durrësit vijon të jetë një prej pikave qendrore të aktivitetit artistik, duke bashkuar trashëgiminë historike të qytetit me produksionet e teatrit bashkëkohor.