«Avengers: Endgame Encore» ndalohet në Kuvajt pak ditë para rikthimit në kinema — kinematë detyrohen të rimbursojnë biletat
Vetëm pak ditë para rikthimit botëror në kinema më 25 shtator 2026, filmi «Avengers: Endgame Encore» është ndaluar me vendim zyrtar në të gjithë Kuvajtin. Lajmin e bëri publik VOX Cinemas në Kuvajt përmes llogarisë së saj në Instagram: «Avengers: Endgame Encore will no longer be released in Kuwait. We sincerely apologize for any disappointment this may cause.»
Sipas mediave të huaja, biletat për shfaqjet ishin shitur plotësisht (sold out) përpara njoftimit, ndërsa kinematë kanë konfirmuar se po i rimbursojnë plotësisht të gjithë blerësit.
Nuk është hera e parë që «Endgame» përballet me censurën në Kuvajt. Në vitin 2019, filmi origjinal u shfaq me disa skena të hequra për shkak të ligjeve të rrepta të censurës, sipas shtypit vendas TwoFortyEightAm. Këtë herë, megjithatë, censuruesit nuk e shkurtuan filmin, por e ndaluan krejtësisht rikthimin e tij.
«Encore» kthehet në kinematë e botës më 25 shtator 2026 me rreth katër minuta material të ri, duke e çuar kohëzgjatjen totale në afro 3 orë e 5 minuta: një hyrje e re, skena të hequra të papublikuara më parë — përfshirë momente me Loki-n dhe Steve Rogers-in — një homazh për Stan Lee, si dhe një skenë të përditësuar pas titrave që lidhet drejtpërdrejt me filmin «Avengers: Doomsday», i cili del më 18 dhjetor 2026. Regjisorët Joe dhe Anthony Russo u kanë thënë fansave se duhet ta shikojnë «Encore» përpara «Doomsday».
Në kastë rikthehen emrat më të mëdhenj të sagës: Robert Downey Jr., Chris Evans, Chris Hemsworth, Mark Ruffalo, Benedict Cumberbatch, Brie Larson, Scarlett Johansson dhe Jeremy Renner.
Burimi: SuperHeroHype