Balla: Nuk doni ligjin e financimit të partive se u del skema ku i çuat 6 mln dollarë për lobimin në SHBA
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar në Kuvend se afati i Komisionit të Posaçëm përfundon më datë 30 dhe se mazhoranca nuk do të pranojë më asnjë shtyrje të mandatit të tij, duke i bërë thirrje opozitës të ulet në tryezë për të përmbyllur punën.
Gjatë fjalës së tij, Balla akuzoi opozitën për bojkot të vazhdueshëm dhe përpjekje për të penguar axhendën e integrimit evropian, ndërsa e ftoi atë të punojë me seriozitet gjatë ditëve të mbetura.
“Komisioni i posaçëm e ka afatin deri më 30, pas kësaj date ju nuk e keni më të drejtën për të arrë peng axhendën tonë evropiane. Ftesa është aty, uluni sot, nesër, pasnesër, të dielën. Punoni me seriozitet por mos e harroni se aty në atë foltore ta kam thënë sot e 6 muaj përpara është hera e fundit që ne e zgjasim mandatin. Do të rikthehemi në një komision tjetër të reformës zgjedhore për të punuar së bashku, ndoshta pas zgjedhjeve vendore, ndoshta edhe para, por ky komision duhet të jetë serioz.
Pasi e bojkotove zotrote me dhjetëra herë mbledhjen e komisionit, u kujtove se po mbaron afati me shpresën se po e pengojmë këtë detyrë shtëpie. Ajo që ne duam prej jush është të ecim përpara për momentin me ligjin për financimin e partive politike. Jeni e vetmja opozitë që nuk do të vihet në kontroll në financimin e partive se keni hall mos iu del se ku i çuat 6 milionë dollarë për një vizë”, tha Balla.