E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Berisha për projektbuxhetin: Mungesë transparence dhe konsultimesh me qytetarët e bizneset

Berisha për projektbuxhetin: Mungesë transparence dhe konsultimesh me qytetarët e bizneset

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur kritika ndaj projektbuxhetit, duke ngritur shqetësime lidhur me mënyrën e hartimit të tij apo mungesën e konsultimeve publike.

Në deklaratën e tij, Berisha e ka cilësuar buxhetin si të hartuar në kundërshtim me ligjin. Ndër të tjera, ai ka kërkuar më shumë transparencë dhe përfshirje të grupeve të interesit në këtë proces.

Reagimi i plotë:

“Ky buxhet paraqitet në Kuvend në mënyrën më tipike si buxhet i një narkoshteti.

Si buxheti i hartuar nga një organizatë kriminale në të cilën shtylla kryesore e të ardhurave bazohet në një paketë fiskale, paketë fiskale që shkel të gjitha ligjet bazë të këtij vendi, Kushtetutën e Shqipërisë dhe sigurinë juridike që ajo garanton për qytetarët shqiptarë, për bizneset dhe për çdo gjë tjetër në këtë vend.

Ky buxhet, në kundërshtim me përcaktimet e qarta ligjore, ka shkelur çdo lloj afati të parashikuar për konsultime publike.

Është përgatitur në fshehtësinë më të madhe sikur të ishte dokumenti më sekret i shtetit, jo dokumenti me implikacione direkte, implikacione të mëdha në xhepat e të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Me shumë të drejtë dhomat e tregtisë, Dhoma Amerikane, Dhoma Gjermane dhe të gjithë shoqatat përfaqësuese të interesave të bizneseve kanë protestuar, kanë hedhur poshtë këtë paketë, në të cilën Padrinoja i vë para faktit të kryer.

Asnjë konsultim siç parashikon ligji. Detyrim ligjor.

Pra injorim total i qytetarëve, injorim total i biznesmenëve dhe vendosje e një pakete nga e cila përfiton një grusht njerëzish dhe ndëshkohen në një mënyrë apo në një tjetër qytetarët shqiptarë dhe bizneset shqiptare”, tha Berisha.

Lini një koment