E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BERLIN – Macron kërkon rikthimin në tryezë të anëtarësimit të Ukrainës në NATO

BERLIN – Macron kërkon rikthimin në tryezë të anëtarësimit të Ukrainës në NATO

BERLIN, 19 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar që çështja e anëtarësimit të Ukrainës në NATO të rikthehet në tryezën e diskutimeve, në një moment kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës me Rusinë po intensifikohen.

Deklarata e tij u bë sot, pas samitit të të ashtuquajturit “Koalicion i të Vullnetshmëve”, i zhvilluar në Berlin.

“Duke pasur parasysh situatën aktuale dhe qëndrimet maksimaliste të Rusisë, mendoj se duhet ta rihapim çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO”, deklaroi Macron.

Ai bëri të ditur se këtë propozim e kishte paraqitur edhe disa ditë më parë, por tani, sipas tij, ka ardhur momenti që kjo çështje të diskutohet përsëri

Presidenti francez kujtoi se perspektiva e anëtarësimit të Ukrainës në NATO ishte lënë mënjanë gjatë gjysmës së parë të vitit 2022, në një kontekst krejtësisht të ndryshëm nga ai aktual.

Megjithatë, Macron theksoi se zhvillimet e luftës dhe qëndrimet e Moskës kërkojnë një rivlerësim të kësaj çështjeje, veçanërisht në kuadër të marrëveshjeve të mundshme për periudhën pas përfundimit të konfliktit.

Sipas Macron, Ukraina pritet të dalë nga lufta me një ushtri të madhe dhe të pajisur mirë, ndaj përfshirja e saj në NATO duhet të shihet edhe në funksion të sigurisë afatgjatë evropiane.

Ai nënvizoi se anëtarësimi i Ukrainës në Aleancën Atlantike nuk është vetëm çështje e sigurisë së Kievit, por lidhet drejtpërdrejt edhe me arkitekturën e ardhshme të sigurisë në Evropë./ /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment