Bienalja e Durrësit e shndërron qytetin në një skenë të artit bashkëkohor
Edicioni i dytë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit po e shndërron gjatë muajit tetor qytetin bregdetar në një skenë të hapur të artit, dialogut dhe shkëmbimit kulturor.
Në ceremoninë e hapjes, zëvendësministrja e Kulturës, Lira Pipa vlerësoi rëndësinë e këtij eventi në promovimin e artit bashkëkohor dhe në krijimin e urave të reja të bashkëpunimit mes vendeve dhe komuniteteve.
Këtë vit, Bienalja mbledh 45 artistë dhe 34 pavijone kombëtare, duke sjellë në Durrës një gjeografi të gjerë pjesëmarrjeje, nga Italia, Gjermania, Kina, Brazili dhe Kosova, deri në Togo, Uganda, Vietnami dhe Zelanda e Re.
Nën temën “Periferia: Tranzicione pamore”, Bienalja synon të zhvendosë vëmendjen përtej qendrës, duke nxitur reflektimin mbi transformimet sociale, hapësirat në ndryshim dhe mënyrën se si arti bashkëkohor i interpreton këto procese përmes gjuhës vizuale.
Ekspozitat dhe workshop-et zhvillohen në 11 hapësira kulturore të qytetit, duke përfshirë ish-Vilën Mbretërore, Hamamin Mesjetar, Muzeun Kombëtar Arkeologjik, shtëpinë e Aleksandër Moisiut, si edhe hapësirat publike të Durrësit. Në këtë mënyrë, arti bashkëkohor vendoset në dialog të drejtpërdrejtë me trashëgiminë historike dhe jetën e përditshme të qytetit.
Gjatë fjalës së saj në ceremoninë e hapjes, ku ishte e pranishme së bashku me kryetaren e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, artistë, kuratorë, përfaqësues të trupit diplomatik dhe partnerë të Bienales, Pipa theksoi rolin e kulturës si një faktor që afron njerëzit dhe krijon ura bashkëpunimi.
“Kultura është një urë që lidh qytetet, vendet dhe komunitetet”, u shpreh zëvendësministrja e Kulturës, duke nënvizuar rëndësinë e Bienales si një hapësirë ndërkombëtare dialogu përmes artit.
Pipa shprehu gjithashtu mirënjohjen për themeluesin e Bienales, Oltsen Gripshi, kuratorin e këtij edicioni, Massimo Scaringella, Bashkinë Durrës, ambasadat dhe të gjithë partnerët që kanë kontribuar në realizimin e kësaj ngjarjeje kulturore.
Edicioni i dytë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit e vendos kështu qytetin në hartën e aktiviteteve ndërkombëtare të artit, duke sjellë së bashku artistë, kultura dhe perspektiva të ndryshme në një dialog të përbashkët me historinë dhe hapësirën urbane të Durrësit.