BM – Alarm për bombë në selinë e Marinës Mbretërore
– Një alarm për bombë ka vënë në gatishmëri autoritetet britanike në bazën “HMS Excellent të Marinës Mbretërore”, në Portsmouth të Anglisë, sipas “The Independent”.
Policia dhe personeli i Ministrisë së Mbrojtjes ndërhynë në bazën ushtarake pas një kërcënimi të raportuar paraditen e sotme.
Sipas gazetës britanikem incidenti u regjistrua në ishullin Whale Island, ku ndodhet një nga strukturat më të rëndësishme të Marinës Mbretërore. Autoritetet ndërmorën masa të menjëhershme sigurie, ndërsa një pjesë e personelit u evakuua dhe të tjerët u udhëzuan të qëndronin në ambiente të sigurta.
Në operacion u përfshinë efektivë të policisë së armatosur dhe njësi të specializuara me qen për zbulimin e eksplozivëve. Forcat e sigurisë kryen kontrolle në zonën e përcaktuar në kërcënim, ndërsa hyrjet dhe lëvizjet brenda bazës u kufizuan përkohësisht.
Një zëdhënës i Marinës Mbretërore konfirmoi ndërhyrjen e autoriteteve, duke theksuar se siguria e personelit ushtarak dhe e publikut mbetej përparësia kryesore. Ministria britanike e Mbrojtjes u përfshi në menaxhimin e situatës, ndërsa autoritetet vijuan vlerësimin e kërcënimit.
Pas rreth tri orësh kontrolle, baza ushtarake u shpall e sigurt, pasi nuk u zbulua asnjë mjet shpërthyes apo objekt tjetër i rrezikshëm. Autoritetet konfirmuan përfundimin e operacionit, duke bërë të mundur rikthimin gradual të aktivitetit normal në instalimin ushtarak.
Policia britanike ka nisur hetimet për të identifikuar personin përgjegjës për kërcënimin. Deri tani nuk ka informacione zyrtare që ta lidhin incidentin me ndonjë organizatë terroriste apo shtet të huaj dhe nuk është raportuar për persona të lënduar. /Ad.Ab./ a.jor.