Bomberi i Ulpianës, Fidan Gashi me 20 gola në 17 ndeshje: Synojmë ngjitjen në Ligën e Parë
Fidan Gashi po kalon një sezon fantastik me fanellën e Ulpianës, duke u shndërruar në golashënuesin më të mirë të Ligës së Dytë të Kosovës. Sulmuesi ka realizuar 20 gola në 17 ndeshje, duke qenë një nga futbollistët kryesorë në ecurinë e skuadrës nga Lipjani, e cila aktualisht kryeson tabelën me 45 pikë.
Në një intervistë për Telegrafin, Gashi ka folur për formën e tij të jashtëzakonshme, kontributin e bashkëlojtarëve dhe stafit teknik, si dhe objektivat e Ulpianës për pjesën e mbetur të sezonit. Ai e ka cilësuar këtë edicion si më të mirin e karrierës së tij deri më tani, ndërsa ka theksuar se suksesi kolektiv mbetet mbi çdo arritje individuale.
Sulmuesi është shprehur shumë i kënaqur me paraqitjet e tij, duke theksuar se një pjesë të madhe të meritës për këtë formë e kanë bashkëlojtarët dhe trajnerët, të cilët e kanë ndihmuar gjatë gjithë sezonit. “Jam shumë i kënaqur me paraqitjet e mia dhe formën momentale, duke i falënderuar bashkëlojtarët, pa të cilët nuk do t’i kisha këto arritje. Gjithashtu, trajnerët për punën e palodhshme që bëjnë me ne”, ka deklaruar Gashi për Telegrafin.
Ulpiana aktualisht prin në tabelë me 45 pikë, ndërsa ndiqet nga Sharri me 43 dhe Drini i Bardhë me 41 pikë. Megjithatë, Gashi beson se skuadra e ka merituar pozitën aktuale, pasi sipas tij ajo është arritur përmes shumë mundi dhe sakrificash. “Epërsia ndaj rivalëve na ndihmon drejt arritjes së objektivit tonë, që pa dyshim është Liga e Parë. Pozitën e parë e kemi arritur me shumë mund dhe sakrifica gjatë rrugës, kështu që nuk do ta lëshojmë lehtë”, është shprehur sulmuesi.
Duke folur për rivalët në garën për inkuadrim, ai ka theksuar se skuadra nuk e nënvlerëson asnjë kundërshtar dhe se çdo ndeshje deri në fund të kampionatit do të jetë vendimtare. “Për ne, çdo ndeshje është sfidë në vete, sepse të gjitha i konsiderojmë finale. Kështu që, gjithmonë loja e radhës është më e rëndësishmja”, ka thënë Gashi.
Sulmuesi ka vlerësuar lart edhe kontributin e bashkëlojtarëve dhe stafit teknik, duke theksuar se pa ndihmën e tyre nuk do të arrinte të shfaqte këtë nivel. “Bashkëlojtarët më kanë ndihmuar shumë gjatë rrugës, pa ndihmën e tyre nuk do të isha në këtë formë. Po ashtu, stafi teknik ka merita të pafundme për këto arritje dhe mendoj se ky është sezoni më i mirë deri më tani”, ka theksuar ai.
Pavarësisht se ka realizuar 20 gola dhe kryeson listën e golashënuesve, Gashi nuk ka vendosur ndonjë objektiv personal për numrin e realizimeve deri në fund të sezonit. Për të, rëndësi ka vetëm arritja e synimit të përbashkët të klubit. “Asnjëherë nuk kanë rëndësi sukseset individuale nëse nuk arrihen sukseset kolektive, për të cilat jemi bashkë te Ulpiana. Nuk kam ndonjë objektiv personal, thjesht bëj punën për të cilën stërvitemi, që ta ndihmoj ekipin drejt objektivit tonë kryesor”, ka deklaruar sulmuesi.
Në fund, Gashi ka dërguar një mesazh për tifozët e Ulpianës, duke kërkuar mbështetjen e tyre në çdo ndeshje, ndërsa është shprehur optimist se në fund të sezonit skuadra do të festojë titullin kampion dhe rikthimin në Ligën e Parë. “Mesazhi im për tifozët është një kërkesë që të na qëndrojnë afër në çdo ndeshje, sepse ata janë lojtari i 12-të i Ulpianës. Besoj dhe shpresoj shumë që në fund do të festojmë titullin kampion dhe ngjitjen në Ligën e Parë”, ka përfunduar Gashi.