E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BRUKSEL – BE-ja përgatit mision të ri në Liban, Italia pritet të marrë drejtimin e komponentit ushtarak

BRUKSEL – BE-ja përgatit mision të ri në Liban, Italia pritet të marrë drejtimin e komponentit ushtarak

BRUKSEL, 26 nëntor /ATSH-ANSA/- Bashkimi Evropian pritet të nisë së shpejti një mision të ri në Liban, të quajtur “Misioni i BE-së për Mbështetjen në Liban”, me synimin për të mbështetur vendin përmes bashkëpunimit dhe koordinimit të strukturave civile dhe ushtarake.

Italia ka shprehur gatishmërinë për të marrë drejtimin e komponentit ushtarak të këtij misioni.

Lajmi u bë i ditur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes së Italisë, Luciano Portolano, gjatë një takimi të Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian.

“Përmbushja e objektivave të përcaktuara, kërkon një qasje të bazuar në bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje të ndërsjellë ndërmjet komponentit civil dhe atij ushtarak të misionit”, deklaroi Portolano.

Ai theksoi se Italia është e gatshme të marrë rolin drejtues të komponentit ushtarak dhe bëri të ditur se kandidati për komandant të ardhshëm është identifikuar tashmë.

Misioni do të ketë dy komponentë plotësues, një civil dhe një ushtarak, të cilët do të veprojnë nën një mandat të përbashkët politik të BE-së, por me detyra të veçanta.

Sipas vendimit të Këshillit të BE-së, të miratuar më 12 tetor 2026, misioni do të ketë një mandat fillestar trevjeçar dhe do të synojë forcimin e institucioneve shtetërore libaneze, si dhe mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend, në përputhje me Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Komponenti ushtarak do të ofrojë këshillim dhe trajnime për Forcat e Armatosura Libaneze, me fokus te siguria e kufijve tokësorë dhe detarë, mbikëqyrja dhe kontrolli i kufijve, shkëmbimi i informacionit, lufta kundër kontrabandës dhe koordinimi i operacioneve.

Ndërkohë, komponenti civil do të mbështesë Forcat e Sigurisë së Brendshme të Libanit, përmes këshillimit dhe trajnimeve të specializuara, përfshirë luftën kundër krimit kibernetik dhe aktiviteteve të paligjshme.

Misioni do të ndihmojë gjithashtu, në përmirësimin e administrimit të sigurisë në portet libaneze, përfshirë portin e Bejrutit.

Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, ka theksuar se misioni do të ndihmojë ushtrinë dhe institucionet e sigurisë libaneze, të forcojnë kontrollin e territorit, sigurinë kufitare dhe sigurinë e brendshme.

Vendosja e misionit, vjen në një moment të rëndësishëm për sigurinë në Liban, ndërsa mandati i Forcës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) përfundon në fund të vitit 2026 dhe është parashikuar një proces gradual tërheqjeje gjatë vitit pasues. /

Lini një koment