E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BRUKSEL – Costa: Partneriteti BE-BM, investim strategjik për sigurinë dhe prosperitetin e Evropës

BRUKSEL – Costa: Partneriteti BE-BM, investim strategjik për sigurinë dhe prosperitetin e Evropës

– Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, e cilësoi partneritetin mes Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, si një investim strategjik për sigurinë dhe prosperitetin e Evropës, duke theksuar se bashkëpunimi mes tyre është thelbësor për përballimin e sfidave të përbashkëta, sipas europa.eu.

Në konferencën për shtyp pas samitit të dytë BE-BM, të zhvilluar sot në Bruksel, Costa nënvizoi se siguria dhe zhvillimi ekonomik janë të lidhura ngushtë dhe se Evropa ka nevojë për një partneritet më të fortë me Londrën, veçanërisht në kushtet e një situate ndërkombëtare gjithnjë e më sfiduese.

“Një partneritet i fortë mes Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, është një investim strategjik për sigurinë e Evropës. Por është gjithashtu një investim në prosperitetin tonë të përbashkët, në inovacion, konkurrueshmëri dhe qëndrueshmëri. Nuk mund të ketë mbrojtje të fortë pa një ekonomi më të fuqishme”, deklaroi Costa.

Ai theksoi se të dyja palët duhet të vijojnë përpjekjet e përbashkëta për të rritur konkurrueshmërinë e kompanive, për të krijuar vende pune cilësore dhe për të garantuar përballueshmërinë e kostos së jetesës për qytetarët.

Sipas tij, bashkëpunimi mes BE-së dhe BM-së, ka dhënë tashmë rezultate konkrete për qytetarët dhe bizneset, ndërsa samiti i zhvilluar në Bruksel shënon një hap tjetër drejt thellimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Një nga temat kryesore të diskutimeve ishte siguria dhe mbrojtja e Evropës, në një kohë kur lufta e Rusisë kundër Ukrainës, vazhdon të përbëjë një kërcënim të rëndësishëm për stabilitetin e kontinentit.

Costa vlerësoi rolin e Britanisë së Madhe në Koalicionin e Vullnetshmëve dhe theksoi se BE-ja dhe Londra do të vijojnë të mbështesin Ukrainën politikisht, financiarisht dhe ushtarakisht, deri në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.

Ai kujtoi se siguria dhe mbrojtja e Evropës ishin pikënisja e procesit të rivendosjes së marrëdhënieve mes dy palëve, pas largimit të BM-së nga Bashkimi Evropian në vitin 2020, përmes Brexit-it.

Në përfundim të samitit, palët miratuan një deklaratë të përbashkët, duke rikonfirmuar angazhimin për forcimin e marrëdhënieve dhe për bashkëpunimin në përballimin e sfidave gjeopolitike dhe ekonomike./

Lini një koment