E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BRUKSEL – Zgjerimi i BE-së, Von der Leyen: Shqipëria po bën përparim të jashtëzakonshëm

BRUKSEL – Zgjerimi i BE-së, Von der Leyen: Shqipëria po bën përparim të jashtëzakonshëm

– Shqipëria po shënon progres të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa zgjerimi i bllokut po hyn në një fazë të re, të karakterizuar nga zhvillime të rëndësishme gjeopolitike dhe përpjekje për përshpejtimin e procesit të integrimit.

Gjatë Forumit të dytë të Zgjerimit të BE-së, me temë “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”, që zhvillohet sot në Bruksel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi progresin e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një nga vendet që po ecën përpara në procesin e integrimit evropian.

Në fjalën e saj, Von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian ndodhet përpara një mundësie të re për zgjerim, duke përmendur përparimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë, si dhe përpjekjet e Moldavisë dhe Ukrainës në rrethana të vështira.

“Kemi mundësinë e një zgjerimi të ri të BE-së.Mali i Zi po mbyll negociatat, është në vijën e finishit, Shqipëria po bën përparim të jashtëzakonshëm, Moldavia dhe Ukraina po bëjnë progres nën një presion të vështirë. Kjo është mbresëlënëse për t’u parë. Ka një moment të ri dhe mund të shkruajmë historinë e re të BE-së”, deklaroi ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian nënvizoi se procesi i zgjerimit nuk duhet të ngadalësohet, duke prezantuar qasjen e re të Brukselit për përshpejtimin e integrimit të vendeve kandidate.

Sipas saj, strategjia mbështetet në dy objektiva kryesore, përshpejtimin e integrimit, në mënyrë që vendet kandidate të përfitojnë nga politikat dhe mundësitë e BE-së përpara anëtarësimit, si dhe garantimin e respektimit të rregullave dhe standardeve evropiane pas anëtarësimit.

“Progresi në reforma sjell progres në integrim dhe, më pas, edhe përfitime”, theksoi Von der Leyen. /

Lini një koment